Jasir Asani gjendet në Suedi, teksa po kthehet në futbollist kyç për skuadrën e AIK. Ndërkohë që gjithë Europën e ka mbërthyer paniku i Coronavirus, në vendin skandinav duket si një botë tjetër, paralale me ne.
Atje nuk ka aspak frikë, ndalesa prë të dalë në vende publike dhe mbi të gjitha shteti është duke e përballuar mirë këtë gjendje emergjente. Në një intervistë për “Insport”, ish-sulmuesi i Partizanit i ka dhënë edhe një mesazh shqiptarëve, se do ta mposhtin këtë virus, ndërsa tregon edhe ditën e tij të zakonshme në Suedi.
“Nuk jemi izoluar, të gjithë mundemi të dalim në qytet dhe të kalojmë kohë, nuk ka panikë, shteti suedez e ka menaxhuar mjaftë mirë situatën. Unë nuk kam bërë ende testet, nuk ja kam frikën. Ne kishim ndeshjen me Malmon në Superkupën e Suedisë, por u anulua për shkak të virusit. Të hënën do të njoftohemi për vendimet e reja.
Në momentin që dëgjova për virusin, i jam drejtuar Zotit me lutje, pasi vetëm ai mund të vendos se çfarë do të ndodhë me ne. Dua të dërgoj një mesazh për popullin shqiptar, që të mos dalin nga shtëpitë e tyre dhe se do ta mposhtin virusin”, tha Asani. /Sport Ekspres/