Ulërima e kampionit të botës dhe “gjuetia e tradhtarëve”, rasti i Briken Caljas me Elez Gjozën flet shumë për Shqipërinë

Sa herë që një sportist shqiptar zgjedh që të përfaqësojë një tjetër shtet, jemi të parët që drejtojmë gishtin drejt tyre për t’i quajtur…tradhtar. Kështu nis edhe “gjuetia” për të kapur sa më tepër njerëz që kanë lënë përfaqësimin e Shqipërisë për një vend tjetër, stema e të cilit nuk para u rri mirë pas trupit.

Por nëse vendi ynë ka përparuar dukshëm në futboll dhe kemi arsye për të treguar se përse duhet të jemi alternativë e parë, çfarë ofrojmë në sportet e tjera? Le të dëgjojmë pak së bashku ulërimën e kampionit të Botës, Briken Calja.

Ky i fundit shpërtheu hapur kundër Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe presidentit Elez Gjoza që gënjeu për fondet e akorduara, që sipas vetë Caljas, nuk mbërritën kurrë në llogarinë bankare. Është vërtetë e trishtë dhe mëkat i madh që në një vend të tillë ku mbizotëron “e keqja”, nuk dimë realisht të vlerësojmë persona si Calja që duhet të jenë modeli i shoqërisë.

Fundja të kërkosh djersën tënde dhe shpërblimin që të takon, është vetëm dhënia e hakut, asgjë më tepër. Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk e bëri punën që i takon me kampionin e botës. Vlen për t’u risjellë edhe njëherë në vëmendje reagimi i Brikenit:

“Në lidhje me Federatën e Peshëngritjes, doja thjesht të shprehja keqardhje për gënjeshtrat dhe hipokrizitë e vazhdueshme në lidhje me këtë temë. Nëse në llogarinë e Brikenit ka ardhur shpërblimi i plotë i medaljeve siç Federata pretendon, kjo është lehtësisht e verifikueshme.

Në llogarinë e Brikenit ka kaluar vetëm urdhri i parë i Ministrisë, siç dhe unë kam rënë personalisht dakord për ndarjen e shpërblimit në pjesë. Çdo transaksion bankar është lehtësisht i verifikueshëm në sistemet bankare dhe në Thesarin e Shtetit, kështu që t’i lëmë mënjanë hipokrizitë dhe gënjeshtrat, por t’i japim drejtim punës siç duhet”. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *