Ukraina-Shqipëri në një kamp stërvitor, frikë nga dëmtimet!

 

A do të luhet Shqipëri-Ukrainë, ditën e diel? Deri tani, asnjë komunikim zyrtar se ndeshja është shtyrë, si nga federata shqiptare, ashtu edhe ajo ukrainase, edhe pse dy trajnerët, Kristian Panuçi dhe Andrij Shevçenko, duke parë kushtet skandaloze të fushës në Evian të Francës, janë duke menduar seriozisht që të mos hedhin ekipet e tyre në fushë.

Ndërkohë, te FSHF-ja reagojnë dhe e bëjnë me menaxherin Kejdi Tomorri: “Për ndeshjen në fjalë (Shqipëri-Ukrainë) kemi dëgjuar zërat në media. Përfaqësuesja e Shqipërisë do të shkojë në Evian pasi kemi një kontratë me kompaninë “Matchëorld”, ashtu si Ukraina. Pra ne nesër do të nisemi për në Verbier ku është qendra e grumbullimit dhe me datë 3 do të luajmë në Evian kundër Ukrainës. Kemi dëgjuar që Ukraina ka probleme me kompaninë në fjalë por në do të respektojmë kontratën dhe do të shkojmë për të luajtur atje!”.

Kushtet – Por, cili është stadiumi në fjalë? Quhet “Camille Fournier Stadium” dhe është një impiant në zonën e Evianit, pak në kodër, aty ku Ukraina është duke u përgatitur për miqësoren e sotme ndaj Marokut, që më pas do të ndiqet pikërisht nga ndeshja me kuqezinjtë e Panuçit, organizuar nga kompania që ka marrë në “dorë” këto miqësore. Ukrainasit nuk duan të luajnë në një stadium të cilin do ta përdorin gjatë kësaj jave si fushë stërvitore. Sigurisht, askush nuk diskuton nivelin e impiantit, që në fakt ka pritur shumë grumbullime kombëtaresh dhe skuadrash të ndryshme, sidomos përpara Euro 2016, ku Gjermania e Joahim Lëvit zhvilloi aty mini-fazën. Sakaq, Liverpul, Sauthempton, Leister e skuadra të tjera do të kryejnë aty fazën gjatë verës.

E megjithatë, stadiumi, nëse i tillë mund të quhet, ka një mini-tribunë në kodër dhe e rrethuar nga gjelbërimi, duke mos plotësuar kushtet e duhura për t’u mbushur dhe për të qenë vërtet një ndeshje miqësore mes dy kombëtaresh.  Veç kësaj, sigurisht, një tjetër pikë debati ka të bëjë me orarin, duke parë edhe periudhën e verës që sapo është futur dhe rritjen e temperaturave. Në fakt, miqësorja është caktuar për të dielën në orën 16:00, ku pritet që temperatura të prekë 25-26 gradë celsius. Mund të ishte luajtur në mbrëmje, për impianti i ndriçimit lë për të dëshiruar dhe nuk ka drita të forta për të mbarëvajtur vizibilitetin e gjithë perimetrit.

Dëmtimet – Por, Ukraina është duke analizuar edhe një tjetër aspekt. Ndaj Marokut do të luhet sot dhe vetëm dy ditë më pas do të jetë ndeshja me Shqipërinë, pasi të jenë stërvitur në impiantin e Evianit. Kështu, me një fushë jo në kondicionin ideal, federata ukrainase po mendon dhe një tjetër faktor: dëmtimet. Dhe, në këtë aspekt, do të krijoheshin konflikt me klubet ku ata futbollistë aktivizohen. Kujtojmë që Rydiger u dëmtua në fazën përgatitore të Gjermanisë pikërisht në këtë impiant.

 

 

3500

vendësh është impianti “Camille Fournier Stadium” në Evian, teksa ka vetëm një mini-tribunë ballore dhe e rrethuar nga një kodër

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *