UEFA ka marrë vendimin zyrtar sa i përket ndeshjes mes Rumanisë dhe Kosovës. Në këtë ndeshje u bë një skandal i madh sa i përket thirrjeve raciste kundër shqiptarëve. Pas një përplasje të dy lojtarëve në fushën e blertë, në minutat e fundit të takimit, u shtuan thirrjet se Kosova është pjesë e Serbisë.
Rrahmani, i cili e kishte paralajmëruar arbitrin dy herë më parë për këto thirrje dhe nuk ishte marrë ende asnjë vendim, tha fjalën e fundit. Ai i kërkoi lojtarëve që të futeshin në dhomat e zhveshjes dhe të mos dilnin më nga aty. Pas një pritje të gjatë, edhe lojtarët e Rumanisë shkuan në dhomat e zhveshjes.
Më pas gjyqtari i takimit i kërkoi lojtarëve tanë që të dilnin në fushë. Pasi nuk pranuan, lojtarët e Rumanisë hynë sërish, pritën edhe 10 minuta për procedurë dhe më pas ndeshja u quajt e braktisur. Kështu edhe UEFA mori vendimin përfundimtar, duke vendosur për fitoren 3-0 të Rumanisë kundër Kosovë, pasi e ka quajtur si një ndeshje të braktisur. Nga ana tjetër është dënuar edhe Rumania. Një gjobë prej 50.000 eurosh dhe mbyllje e stadiumit për një ndeshje, për shkak të sjellëve raciste dhe mesazheve provokuese politike.
Mediat rumune kanë kontaktuar menjëherë trajnerin e Kombëtares së Rumanisë, Mircea Lucescu, për të dhënë komentin e tij sa i përket këtij vendimi. Lucescu provokoi sërish duke thënë se te Kosova e provuan lënien e fushës jo për shkak të dinjitetit, por për shkak llogarisë, për të fituar 0-3 në tavolinë. “Fituam ne 3-0? Po, në rregull, është shumë normale. Edhe ata mbetën me turp tani, por është zgjedhja e tyre, ata gjithsesi e provuan njëherë”, tha Lucescu. /Sport Ekspres/