Tirana Futsal ka regjistruar fitoren e parë në Grupin C të fazës para-eliminatore të UEFA Futsal Champions League 2024/25.
Bardheblutë triumfuan në ndeshjen e dytë ndaj skuadrës islandeze, Ísbjörninn, me rezultatin 3-1 sfidë që u luajt në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit.
Kampionët e Shqipërisë e nisën mirë ndeshjen duke kaluar në avantazh që në minutën e tretë me Azem Brahimin. Bardheblutë nuk ndalen dhe në minutën e 6-të dyfishojnë rezultatin me golin e Asdren Gashit. Pjesa e parë u mbyll 2-0.
Në fraksionin e dytë skuadra e Ísbjörninn ngushtoi diferencën në minutën e 22-të me Ricardo Dias. Megjithatë Tirana nuk e uli ritmin dhe në minutën e 30-të gjeti sërish rrugën e rrjetës falë një autogoli të realizuar nga lojtari i Ísbjörninn, Haflidason. Në fund takimi u mbyll me fitoren e Tiranës me rezultatin 3-1
Ndeshja tjetër e grupit C Weilimdorf (GER) – Akaa (FIN), që u zhvillua në orën 17:00, përfundoi me fitoren e finlandezve 2-4.
Takimet e fundit të grupit C do të luhen të shtunën më 24 gusht. Ísbjörninn do të përballet me Weilimdorf në orën 17:00, ndërsa Tirana – Akaa do të luhet në 20:45.
Ky është edicioni i katërt radhazi që ndeshjet e njërit prej grupeve të fazës para-eliminatore të Futsal Champions League zhvillohen në Shqipëri nën organizimin e FSHF-së.