UEFA ka ngritur dy akuza ndaj Pep Guardiolës, i cili u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e Champions League kundër Liverpulit.
Edhe Liverpuli do të dënohet, për shkak se tifozët e vet hodhën objekte në fushë dhe ndezën fishekzjarre.
Guardiola është nën akuzë për protestat e tepruara pas anulimit të golit të Sanesë në fund të pjesës së parë, ndërkohë që një dënim shtesë do të vijë për faktin se trajneri spanjoll komunikoi me stolin pas përjashtimit me karton të kuq dhe detyrimit për të qëndruar në tribunë në pjesën e dytë. Sipas rregullores së UEFA-s, komunikimi me stolin është i ndalur.
Më 31 maj do të mblidhet Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës në UEFA dhe si Liverpuli, ashtu edhe Guardiola, do të gjobiten, por për trajnerin mund të vijë edhe ndonjë pezullim për kupat e Europës.