“UEFA Development” për femra/ Shqipëria luan ndeshjen e fundit ndaj Kazakistanit

Shqipëria U-16 ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Kazakistanit, e vlefshme për turneun “UEFA Development U-16” për femra që u zhvillua në vendin tonë në datat 3-8 maj.

Vajzat kuqezi të drejtuara nga trajneri Agustin Kola u mundën me rezultatin 1-2 nga Kazakistani, të cilat pavarësisht humbjes zhvilluan një lojë mjaft të mirë.

Kola hodhi në fushë këtë formacion: Mone, Bari, Ndoci, Reshiti, Vasa, Bushati, Disha, Ago, Methoxha, Ndoj, Nushi.

Ndeshja nisi mjaft mirë për Shqipërinë, duke kaluar në avantazh të parat. Ishte Rosela Vasa ajo e cila i dha epërsinë skuadrës tonë në minutën e 34, pas një loje të kontrolluar nga vajzat kuqezi. Gjashtë minuta më vonë, Kazakistani arrin të barazojë rezultatin, teksa dy skuadrat ndahen në barazimin 1-1 në pjesën e parë.

Me nisjen e fraksionit të dytë, trajneri Agustin Kola vendos të bëjë disa ndryshime në formacion, duke nxjerrë nga fusha Monen e Barin, e duke hedhur në fushën e lojës Krasniqin e Kurajn. Në këtë pjesë të dytë, Shqipëria bëhet më kërkuese, duke krijuar disa raste, por mungon finalizimi. Në minutën e 72-të, Kazakistani na ndëshkon, duke realizuar golin e dytë. Pavarësisht disa tentativave, ndeshja përfundoi në favor të Kazakistanit, me shifrat 1-2.

Kjo ishte edhe sfida e tretë për Shqipërinë e Agustin Kolës, që në ndeshjen e parë luajti ndaj Malit të Zi, duke fituar 5-2. Në ndeshjen e dytë ndaj Kosovës barazoi 2-2, teksa ndeshja u vulos nga penalltitë, ku Kosova triumfoi 6-5.

Ky turne zhvillimor moshash i UEFA-s që u luajt në vendin tonë ishte i dyti brenda një muaji i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Të gjitha ndeshjet u luajtën në Kamëz në datat 3,5 dhe 8 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *