UEFA bën gati 15-20 mln euro gjobë për kuqezinjtë!

Probleme në mbërritje për Milanin, që rrezikon një gjobë nga 15 në 20 milionë euro nga UEFA për mos respektim të rregullave të fair play financiar. Skenari jo i mirë për Milanin është bërë me dije nga “Gazzetta dello Sport”, që ka analizuar situatën financiare të klubit kuqezi në raport me UEFA-n.

Në fakt deri më tani nuk ka një gjobë zyrtare, por Milani ka kohë deri në mesin e qershorit për të rregulluar bilancet e veta për të mos përfunduar në gijotinën e UEFA-s, që nuk ka ndër mend të tolerojë askënd. Presidenti i Milanit Jonghong Li ka vetëm një muaj kohë për të gjetur rrugët e duhura për të pompuar miliona në arkat e Milanit për t’i shpëtuar një tjetër mase ndëshkuese që vetëm do të rëndonte buxhetin e kuqezinjve dhe do të vështirësonte më shumë presidencën e tij.

Përtej probleme me borxhin prej 303 milionë eurosh në adresë të fondit “Elliott”, Jonghong Li duhet t’i japë drejtim disa çështjeve të tjera po kaq të rëndësishme deri në fund të këtij muaji.

Por fillimisht të gjithë janë duke pritur me kërshëri fundin e kampionatit. Të dielën Milani do të mësojë nëse do të jetë i gjashti apo i shtati. E bashkë me këtë dhe të gjithë pasojat që mund të vijnë, për mirë apo për keq. Kuqezinjtë shpresojnë tek vendi i gjashtë, që do t’i garantonte një vend në Ligën e Evropës direkt në fazën në grupe. Një vend i shtatë do të ishte një stërmundim, pasi do të thoshte fillim më i hershëm i përgatitjeve, shumë takime të ngjeshura, mos pjesëmarrje në turneun veror në SHBA – më pak të ardhura. Por mbi gjithçka qëndron verdikti i 31 majit që pritet të mbërrijë nga UEFA në lidhje me Financial fair play. me kampionatin të mbyllur, UEFA pritet t’i komunikojë Milanit nëse ka pranuar kërkesën e klubit për “settlement agreement”, diçka që iu refuzua klubit kuqezi në dhjetor të vitit të kaluar. Në rast se nuk do të pranohet “settlement agreement” për Milanin priten ndëshkime të rënda financiare. UEFA po ekzaminon në detaje pozicionin e Milanit. Por gjoba – mund të jetë vetëm një pjesë e masave ndëshkimore të UEFA-s ndaj Milanit – mund të arrijë mes 15-20 milionë eurove. Milani mund të vendosë ta paguajë me këste këtë gjobë, duke paguar fillimisht 1/3 e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *