Erzeni ka mposhtur Tiranën në ndeshjen e parë të javës së pestë të “Abissnet Superiore”-s. Ndeshja e zhvilluar në “Selman Stërmasi” përfundoi me shifrat 1-0 në favor të shijakasve. Goli i vetëm u shënua në minutën e 17 dhe mban autorësinë e Maliqit. Pas përfundimit të ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Skaner Superiore“ në “MCN TV“.
Shehi (Tirana): “Nuk mund të dal unë këtu të them jam i zhgënjyer me skuadrën dhe të dal si burrë i mirë. Është një ndeshje për t’u harruar dhe për të nxjerrë konkluzione. Na munguan elementë që janë shumë të rëndësishëm në futboll. Mund të jesh i paqartë taktikisht, por të paktën duhet të kesh atë grintën që kundërshtari të mos vijë te porta”.
Deliallisi (Erzeni): “Tirana është një emër që të motivon. Komplimente lojtarëve për sakrificën, është e gjitha meritë e tyre. Sa e vështirë është të menaxhoj katër mbrojtësat? Të katër mbrojtësat janë shumë të fortë, edhe pse ka vetëm dy vende. Formacioni fitues nuk mund të ndryshojë. Konkurenca është e fortë dhe konkurenca vetëm sa i zhvillon dhe i përmirëson. Lojtarët i kanë kryer detyrat deri në perfeksion. I kërkova që të kishin personalitet, nuk ka pse të ndihemi inferior“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/