Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka u rizgjodh anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Në Kongresin e 47-të të UEFA-s, që u zhvillua këtë të mërkurë në Lisbonë të Portugalisë, numri një i futbollit shqiptar fitoi mandatin e dytë radhazi në këtë detyrë.
Presidenti Duka mori 45 vota nga 55 vende anëtare të UEFA-s, duke grumbulluar më shumë vota se kundërshtarët e tij, teksa do të jetë pjesë e qeverisë së UEFA-s deri në vitin 2027. Presidenti i FSHF-së nuk ngurroi t’i fshehë emocionet e para të rizgjedhjes së tij në qeverinë europiane të futbollit. Në një intervistë për Top Channel, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar vlerësoi UEFA-n si një organizatë tepër demokratike, që ka në themel të saj solidaritetin dhe vlerësimin për punën e njerëzit, gjë e cila i mundësoi edhe rizgjedhjen si anëtar i Komitetit Ekzekutiv.
“Që UEFA është një nga organizatat më demokratike të Europës dhe nuk e ekzagjeroj të them edhe të botës. Me një nivel të kufizuar ekonomik si Shqipëria do ta kisha të vështirë të zgjidhesha apo të mbështetesha nga kaq shumë anëtarë. Pra, është një organizatë që me kohë ka lënë pas shpine paragjykimet, por ka në busullën e saj solidaritetin dhe gjykimin e vlerësimin për njerëzit, për punën, pa asnjë lloj paragjykimi tjetër”- tha Presidenti i FSHF-së, njëherazi edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ndërsa shprehu dëshirën që në të ardhmen në vendin tonë të zhvillohet një Kongres i UEFA-s apo FIFA-s, ose finalet e një Kampionati Europian për grupmosha.
“Do kisha shumë dëshirë që në Shqipëri të zhvillohej një Kongres i UEFA-s apo i FIFA-s dhe finalet e një Kampionati Europian për mosha”- nënvizoi Presidenti Duka për Top Channel.