“U dëshmua dashuria e shqiptarëve”, Thomas Strakosha: Italia më rriti si njeri dhe futbollist, falenderues!

Nga Klaudio Ndreca

Thomas Strakosha nuk e harron dorën e zgjatur në momentin e parë, atëherë kur kishte më shumë nevojë. Portieri shqiptar i falenderon italianët për hapësirën që i kanë dhënë dhe mundësinë e madhe, për të mbërritur në pikën ku ndodhet aktualisht.

Statistikat dhe mediat e ndryshme e përfshijnë Strakoshën tek portierët më të mirë në botë. Ndërkohë vetë gardiani i Lacios shprehet për “Sky Sport” se gjesti i dërgimit të mjekëve dhe infermierëve në vendin fqinj dëshmoi qartë edhe dashurinë e shqiptarëve.

“Gjëja e parë që mua më vjen në mendje është sesi ta mposhtim këtë virusin. Ne futbollistët duhet të mundohemi për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Është kaq keq të dëgjosh në çdo ditë për njerëzit që humbin jetën dhe ata që shtrohen në spital. Kryeministri i Shqipërisë, Rama, dëshmoi dashurinë e shqiptarëve për Italinë që na priti në moment të vështirë. Personalisht mua më ka mirëpritur Italia dhe më rriti si njeri dhe si futbollist. I jemi falenderues Italisë për të gjithë këtë që kemi, ndërsa dërgimi i infermirëve dhe doktorëve ishte po kaq i rëndësishëm”, tha Strakosha. /Sport Ekspres/