“U befasua nga reagimi i Lazios”, babai i David Silvës i kundërpërgjigjet Tares: Ke folur me përfaqësuesit, jo me Davidin

Një lëvizje që i habiti të gjithë në kampin bardhekaltër ishte ajo e David Silvas. Dukej thuajse zyrtare kalimi i tij te Lazio, por në fund zyrtarizimi vjen në Spanjë, ku firmos për Real Sociedad. Kjo sjellje nxiti edhe zemërimin e Igli Tares. “Nuk e respektoj si njeri”, do të shprehej vlonjati, që u ndje i tradhëtuar nga ky veprim i mesfushorit.

Megjithatë një kundërpërgjigje ka ardhur nga babai i lojtarit, që në një prononcim për “Radio Marca” shprehet se nuk e kupton këtë reagim të Lazios, pasi djali i tij ka qenë në kontakte të vazhdueshme me skuadra të tjera dhe nuk kishte marrëveshje me bardhekaltrit.

“Kur Lazio u informua për interesin e Real Sociedad ata nuk reaguan keq, nuk kishte asgjë të siguruar. Ka pasur kontakte me bardhekaltrit, por edhe me ekipe të tjera. Djali im atëherë vendosi të shkojë në Spanjë. Nuk kishte asgjë të mbyllur, Davidi u befasua nga reagimi i klubit.

Fjalët e Tares? Të gjithë mund të thonë atë që duan. Lazio foli me përfaqësuesin e tij, jo me vetë Davidin. Prandaj nuk e kuptoj arsyen e përfshirjes së tij si një njeri. Ai nuk kishte një marrëveshje me bardhekaltrit. Gjithmonë ka pasur ekipe të tjera që gjithashtu biseduan me të”, ka deklaruar babai i David Silvas./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *