U-17/ Miqësoret kundër Bosnje-Hercegovinës, ndryshon agjenda, ja ku dhe kur do të luhen dy takimet

Ekipi Kombëtar U-17 do të luajë dy takime miqësore ndërkombëtare në muajin shkurt me kundër bashkëmoshatarëve të Bosnje-Hercegovinës. Trajneri i kuqezinjve, Ervin Bulku do të ketë në dispozicion për këto ndeshje lojtarët e vitlindjes 2006, ndërkohë që ka një ndryshim në agjendën e dy takimeve.

Fillimisht, dy federatat kishin rënë dakord që këto dy miqësore të luheshin më 14 dhe 16 shkurt, teksa pas një konsulte e një diskutimi të mëtejshëm, është dakordësuar që dy ndeshjet që do të zhvillohen në Shqipëri të luhen në dy data të tjera.

Takimi i parë është planifikuar të zhvillohet më 15 shkurt, duke nisur në ora 15:00 në stadiumin ‘Niko Dovana’ në Durrës, ndërsa sfida e dytë Shqipëri U-17 – Bosnje Hercegovinë U-17 do të luhet më 17 shkurt, në ora 11:30 në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ në Tiranë. Në të dyja takimet, Federata Shqiptare e Futbollit do të hapë dyert për të gjithë tifozët, për t’i dhënë sa më shumë mbështetje kuqezinjve të vegjël.

Para pak javësh, Shqipëria U-17 zhvilloi dy takime miqësore kundër Turqisë, teksa këto ndeshje të programuara nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF vijnë në kuadër të përgatitjeve intensive përpara turneut zyrtar që do të zhvillohet në muajin mars në vendin tonë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku janë kualifikuar në Elite Round dhe do të tentojnë kualifikimin për në finalet e Europianit 2023, teksa do të luajnë shanset e tyre kundër Francës, Zvicrës e Letonia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *