Turpi nuk ka fund; Beogradi ngre zërin, FIFA mund të dënojë Xhakën e Shaqirin!

Dy festime që mund të kthehen në një “autogol”, edhe pse do të ishte një absurditet i madh… Subjektet në fjalë janë Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët ngritën peshë popullin shqiptar me shqiponjat e tyre pas golave… Po, nëse kjo ndodh në një ndeshje miqësore, apo eliminatore, sigurisht që kalon edhe pa u vënë re, në varësi të kundërshtarit, por kur bëhet fjalë për një Botëror që luhet në Rusi, aty ku situata gjeopolitike është e tensionuar dhe janë dashur shumë bisedime për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe, sidomos, përballë kombëtares serbe, atëherë edhe diçka e vogël mund të hiperbolizohet.

Një kaos që është amplifikuar edhe nga fakti që shumë tifozë zvicerianë kanë reaguar ashpër në komentet e tyre dhe i kanë kërkuar federatës helvete që të dënojë dy lojtarët, duke marrë masa, pasi ato festime ishin për… Shqipërinë dhe nuk kishin aspak lidhje me Zvicrën. Ndërsa, sakaq, mediet serbe kanë rinisur me avazin e tyre, pra “Provokacija”-n e famshme, teksa i kanë kërkuar edhe FIFA-s që të ndërhyjë dhe të përjashtojë dy futbollistët kosovarë, duke i qëndruar rregullores dhe nenit që përjashton festimin me nuance politike.

https://www.youtube.com/watch?v=SvylX-kS41Q

Sanksione ose pezullim, këto janë masat që mund të ndërmarrë komisionit i disiplinës në FIFA. Kujtojmë që shkëndijat mes Mitroviçit dhe Shaqirit kanë nisur te Stouk Siti, teksa serbi ka komentuar postimin e gjilanasit, duke i thënë se “nëse e dashuron kaq shumë Kosovën, pse refuzove të luash për atë kombëtare?”.

Pikërisht me sulmuesin, mesfushori i Zvicrës pati edhe debate në fushë. E ndërsa Shaqiri e argumentoi se “ishte vetëm një festë emocionale, asgjë më shumë”, Xhaka tha se “doja të festoja për popullin tim shqiptar, që më ndjek nga televizori dhe nuk më interesonte asgjë tjetër”. Ndërkohë, në ndihmë te dyshes Shaqiri-Xhaka ka ardhur edhe Lihtshtajner, duke thënë: “Bënë mjaft mirë që festuan ashtu, nuk e kuptoj këtë polemikë.

Prindërit ose familjarët e tyre kanë luftuar dikur, ka pasur presione dhe provokime, ndaj nuk ka ndonjë gjë të madhe… Pastaj, grushtet jepen dhe merren. Nuk më duket se serbët janë ëngjëj…”. E ndërsa në Beograd kanë ngritur zërin, në FIFA ende nuk janë prononcuar. Petkoviç, sakaq, shtoi: “Sigurisht, politika duhet të qëndrojë jashtë futbollit, por janë edhe momente emocionale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *