Turpërohemi sërish, tani është krizë totale!

Panuçi premtoi reagim, premtoi Shqipëri ndryshe, sepse diktatura e tij e kishte mbledhur skuadrën. Në fakt një ndryshim erdhi, shënuam gol! E pabesueshme, jemi kujtuar të shënojmë, por kujt i hyn në punë kur mundesh 4-1 nga Ukraina?

Ishte si fitore, në fakt, këtu mund të mburret Panuçi, sepse mund të humbnim 12-1. Ukraina u tall me ne, sepse nuk ishim në fushë, si shpesh këtë vitin e fundit.

Mbrojtja kuqezi nuk ekziston më, loja nuk ekziston më, bosht nuk ka, sulm nuk ka dhe jemi kthyer shumë vite pas.

Rindërtimi i ngjan më shumë rrënimit, jemi futur në një rrugë qorre dhe për fat të keq, Panuçi nuk e ka idenë si të na kthejë në rrugën e duhur.

KRONIKA

90′ GOL UKRAINA! Sërish show ukrainas në sulm, sepse mbrojtja jonë nuk ekziston. Jarmolenko i shpëton pozicionit jashtë loje dhe pason te Konoplianka, i cili nuk fal.

88′ GOL SHQIPËRIA! Emanuele Ndoj feston golin e parë kuqezi! Kros nga e djathta e sulmit tonë, Ndoj në zonë ndal bukur dhe gjuan, duke shënuar.

88′ Fati na ndihmon, sepse Ukraina futet në zonë pa probleme dhe largimi i topit nga Gjimshiti përplaset te Memolla, përfundon në shtyllë dhe më pas te duart e Berishës.

83′ Goditje dënimi për Ukrainën, goditje e shkëlqyer, por i shkëlqyer edhe Etrit Berisha, që shpëton dy herë rresht portën e tij.

80′ Për rreth 30 minuta po vijmë vërdallë kot, Ukraina kontroll qetësisht.

57′ Sërish Lilaj, i vetmi që provon. Mesfushori rrëmben një top jashtë zone dhe godet fort, por paksa jashtë. Të paktën dikush lufton!

53′ Bëjmë rrëmujë në zonën kundërshtare me Memollën, por në fund godet nga distanca Lilaj dhe jashtë. Nuk krijojmë dot situata të pastra për shënim.

52′ Ukraina sërish na rrezikon. Seleznjov godet fort, paksa mbi traversë për shkak se devijon një nga mbrojtësit tanë. Sërish gabon mbrojtja.

46′ Roshi zëvendësohet sërish, tashmë mund të quhet konflikt mes tij e Panuçit. Në vend të tij mbrojtësi i majtë Memolla. Ndërkaq, Lenjani zëvendësohet nga Balaj. Tani luajmë me 2 sulmues të vërtetë përpara

PJESA E PARË – Më keq se kaq, nuk ka ku të shkojë. Ose ka ku të shkojë, sepse janë edhe 45 minuta. Ukraina na shpartallon, pa u lodhur fare, duke shënuar 3 gola qesharakë për ne, që një herë e një kohë kishim mbrojtjen pikën tonë më të fortë. Tani jemi një kombëtare që fut ujë nga çdo krah dhe nuk kemi asnjë ide në sulm.

45′ GOL UKRAINA! Shthuremi totalisht, mbrojtja pëson gola qesharakë. Ukraina futet në zonë me lehtësi të pabesueshme dhe na shënon pa vrapuar fare, Tragjike! Një top i lehtë në zonë, aty Malinovski kontrollon pa u bezdisur nga askush dhe pason te Jarmolenko, i cili i vetëm gjuan dhe shënon.

36′ GOL UKRAINA! Jarmolenko, sërish ai, zbavitet në mbrojtjen tonë të shthurur. Driblime të lehta, si në stërvitje, dhe gol pa asnjë vështirësi, me një gjuajtje të fortë.

34′ Manaj në kundërsulm, fiton një faull në kufirin e zonës ukrainase. Gjuan vetë sulmuesi, por topi përplaset në barrikadë. Ishte një mundësi shumë e mirë.

31′ Shënon UKRAINA! Mbrojtja jonë vuan shumë dhe Konoplianka na ndëshkon. Marlos nxjerr blof 3-4 lojtarë dhe me një pasim të bukur nxjerr të vetëm Jarmolenkon. Gjimshiti u mundua ta ndalë, por Jarmolenko pasoi te Konoplianka, i cili nuk fali.

26′ Ramadani nuk ia del, futet Kamer Qaka.

23′ Tifozeria kuqezi është e shkëlqyer në tribuna.

22′ Dëmtohet Ramadani dhe loja ndalet për të pirë pak ujë skuadrat.

20′ Një rrëzim në mesfushë nga një ukrainas krijon nervozizëm. Roshit iu fishkëllye një faull kundër, që nuk ekzistonte. Zemërohet edhe Panuçi.

19′ Në qendër të zonës, Jarmolenko merr një pasim të bukur dhe fluturimthi godet fort, por jashtë. Sërish rast ideal për Ukrainën, mbrojtja jonë ka shumë probleme.

18′ Jarmolenko bën ç’të dojë në të djathtë të sulmit ukrainas. Veseli vuan nga depërtimet e yllit ukrainas.

16′ Rrezikon Ukraina. Konoplianka hyn në zonë, godet fort dhe Gjimshiti devijon në këndore. Me fat tanët.

14′ Tenton Lilaj nga distanca e largët, portieri Lunin grushton, edhe pse topi nuk ishte në kuadrat. Për t’u lavdëruar Lilaj për guximin.

11′ Goditje nga këndi për kuqezinjtë, Mavraj me kokë godet mbi traversë. Ndeshje e shpejtë dhe shumë e hapur.

8′ Ukraina shumë pranë golit. Dy gjuajtje rresht në zonë, i fundit Jarmolenko që mposht Berishën, por topi i devijuar nga portieri kuqezi largohet nga Hysaj mbi vijën fatale. Me fat Shqipëria, super Berisha!

6′ Lenjani humbet rastin e parë për Shqipërinë. Pasim nga thellësia, mesfushori i shpëton pozicionit jashtë loje dhe del i vetëm me portierin, por në pozicion të prirët godet me të majtën dhe jashtë.

4′ Kros në zonën tonë, Burda nuk mbulohet nga askush dhe godet me kokë, por jashtë. Rreziku i parë për Berishën.

SHQIPËRI – UKRAINË      1-4

Shënues: Ndoj 88′ / Konoplianka 31′, 90′, Jarmolenko 36′, 45′

SHQIPËRIA: Berisha, Veseli, Gjimshiti, Mavraj, Hysaj, Lilaj (Ajeti 65′), Ramadani (Qaka 26′), Ndoj, Lenjani (Balaj 46′), Roshi (Memolla 46′), Manaj (Cikalleshi 57′).

Të gatshëm: Hoxha, Selmani, Bujar Lika, Gavazaj, Abazaj, Guri.

UKRAINA: Lunin – Butko (Karavajev 82′), Burda, Krivtsov, Sobol – Malinovski (Sidorçuk 71′), Zinçenko (Kovalenko 71′), Marlos (Shaparenko 57′) – Jarmolenko, Konoplianka – Besedin (Seleznjov 46′).

Të gatshëm: Bojko, Matvienko, Shabanov, Lukianchuk.

Arbitër: François Letexier (FRA) Asistentë 1: Cyril Mugnier (FRA) 2: Raffael Zeder (SUI) Arbitër i katërt: Salem Hakim Ben El Hadj (FRA)

Shqipëria ndeshet prej orës 16.00 me Ukrainën në Evian të Francës, në një test me rëndësi për ne, pas disfatës së rëndë kundër Kosovës, ku luajtëm shumë keq.

Në krahasim me atë takim trajneri Panuçi bën disa ndryshime, në vendosje e formacion, ndërsa gjen formacionin titullar Rey Manaj, edhe pse vjen nga një sezon i zi në Spanjë, te Granada.

Ukraina është pa disa titullarë, duke pasur në formacion shumë lojtarë që kanë luajtur më pak se 10 ndeshje me kombëtaren. Natyrisht, sytë janë te yjet e sulmit, Jarmolenko e Konoplianka.


Arbitri i ndeshjes së sotme është Fransua Leteksier, vetëm 29 vjeç, por me eksperiencë të jashtëzakonshme për moshën e tij, sepse është arbitër ndërkombëtar dhe ka drejtuar shumë ndeshje si në Ligën 1 franceze, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë Europa League.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *