“Turp që kërkoni gjilpërën në kashtë”/Tahiri shpërthen pas mesazhit të Marinit: Turp për atë që është drejtor i Partizanit

Humbja e Partizanit ndaj Erzenit është analizuar në studion e emisionit “Skaner“  në “MCN TV“. Ermal Tahiri dhe Sulejman Starova e kanë parë si një hap fals këtë rezultat. Në rast të një fitoreje Partizani do të kishte një diferencë të madhe me Tiranën që në javët e para të kampionatit, çka sipas Starovës dhe Tahirit duhej shfrytëzuar. Por në emision ka ndërhyrë edhe drejtori sportiv i të kuqve, i cili nëpërmjet një mesazhi të dërguar në celularin e moderatorit Gerti Çarçani shkruan: “Turp që kërkoni gjilpërën në kashtë. Sot ishte vetëm fat i keq”.

Një mesazh ky që ka irrituar Ermal Tahirin, i cili kërkon nga Marini ta lexojë ndeshjen në të njëjtën mënyrë si në studio, pasi gjithçka është në të mirë të Partizanit. Në të kundërt ish-futbollisti i Kombëtares shprehet se Elton Marini duhet të ndjejë turp që mban postin e drejtorit sportiv te kryeqytetasit.

“Ta dimë për kë e ka turpin. Ne e lexojmë kështu. Nëse nuk e lexon Elton Marini kështu, turp për atë që është drejtor i Partizanit. Kaq! Ne s’po e themi për të keq, po e themi për të mirën e Partizanit. Nuk nuk jemi për të keqen e asnjë ekipi këtu. 12 pikë, me 5 të Tiranës, i thonë 7 pikë. Ne këtu vjet kemi diskutuar që Vllaznia ka qenë 9 pikë përpara, do e mbajë apo s’do e mbajë kampionatin. Tirana ishte  9 pikë përpara. Po e di ç’do të thotë të jetë në javën e 4-t 9 pikë apo 7 pikë përpara Partizani? Do të thotë psikologji tjetër dhe je për kampion. Kjo është  ideja. Në qoftë se ai nuk e gjen gjilpërën këtu ku themi ne, atëherë ai nuk merr vesh. Çfarë të themi tjetër ne”, është shprehur Ermal Tahiri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *