Amir Rrahmani ka shansin e artë të karrierës për të treguar vlerat e tij në elitën e Europës, Seria A. Më herët duke shkëlqyer tek Verona, por këtë herë mbrojtësi shqiptar duhet të tregojë se mund të bëjë diferencën edhe duke mbajtur fanellën e Napolit.
Pasi ekipi i Gatuzos e bleu Rrahmanin kishte shumë kritika për vetë klubin pasi nuk zgjidhte që ta aktivizonte këtë lojtar. Një debutim “horror” erdhi ndaj Udinezes ku Rrahmani si titullar i fali një gol kundërshtar në kthimin e gabuar të topit mbrapa.
Megjithatë situata e fundit e Napolit i shkon përshtat mbrojtësit. Kulibali është i infektuar me COVID-19 dhe kërkohet ende kohë deri në momentin që të jetë gati, ndërsa lojtari tjetër Kostas Manolas është dëmtuar në ndeshjen e fundit.
Tashmë ka dalë edhe shkalla e dëmtimit të ligamentit, me Manolas që do të rikthehet te Napoli pas tre javësh. Gatuzo ka vetëm dy zgjedhje në qendër të mbrojtjes: “Rrahmani dhe Maksimovic”. Të dy këta lojtarë do të jenë si titullar në mbrëmjen e sotme kundër Atalantës, për të vazhduar edhe më përballjen e Serisë A atje ku do të gjejnë përballë tyre Juventusin. Në këtë rast mund të thuhet se trishtimi i Manolas është gëzimi i Rrahmanit, duke pasur mundësinë më të mirë për të treguar vlerat që mbart. /Sport Ekspres/