Elton Basriu nuk është i panjohur në Kosovë, pasi sezonin e fundit u aktivizua me Lirinë e Prizrenit. U ambientua shpejt me jetën dhe futbollin atje dhe këtë verë pati disa oferta. Mes disa të tillave pranoi atë të Trepça ’89. Sigurisht fakti që Magani është trajner ndikoi në pranimin e ofertës. Vjet e bindi Bledi Shkëmbi, por edhe oferta.
Prej të hënës stërvitet me skuadrën nga Mitrovica. Aty i është bashkuar edhe Mariglen Shoshi. Një tjetër qendërmbrojtës dhe Magani fle i qetë për mbrojtjen. Fieraku ofron eksperiencë dhe cilësi. Duhej edhe një mesfushor.
Peqinasi ka hedhur sytë nga Superiorja dhe e ka gjetur. Orgest Gava do të jetë organizatori i Trepça ’89. Mesfushori nga Elbasani ka mbërritur në Mitrovicë dhe ka vendosur të luajë atje. E donin edhe në Shqipëri, por mendoi të provojë diçka të re. Sezonin e mbylli te Lushnja, por më parë ka luajtur tek Elbasani, Bylisi dhe Shkumbini.