Elseid Hysaj po dëshmon çdo ditë e më shumë profesionalizmin e tij. Pavarësisht se në qershor të largohet me parametër 0 nga Napoli, mbrojtësi shqiptar nuk e ka ulur aspak angazhimin e tij për fanellën e këtij klubi. Pas një paraqitje fantastike ndaj Milanit erdhi një tjetër po aq pozitive ndaj Romës mbrëmjen e djeshme. Në një prononcim për “Radio Marte“, menaxheri i lojtarit shkodran nxjerr në pah pikërisht profesionalizmin dhe lidhjen e Hysajt me fanellën e Napolit. Megjithatë, e ardhmja e tij do të jetë larg kësaj skuadre.
“Një tjetër demonstrim i të qenit një profesionist i shkëlqyeshëm, mirënjohës ndaj Napolit dhe klubit ku ai për pesë vite jetoi. Më e pakta që mund të tregoj është lidhja me fanellën. Unë mendoj se 99.9% do të largohet. Ne po flasim me klube të tjera, ne sjellim situata të tjera. Për momentin nuk dihet se kush do të jetë trajneri. Pas 5 vjetësh është e drejtë që djali të provojë përvoja të tjera, ne kemi situata të tjera në interes. Ka një shans prej 0,1% të qëndrimit, por kjo varet kush do të jetë trajneri i ri”, ka thënë Mario Xhufredi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/