Klaus Gjasula është përballur me një udhëkryq ku në njërën anë qendron karriera e tij te Hamburgu dhe në anën tjetër e pret detyra morale për të dhënë kontributin e tij në Kombëtare. Trajneri Daniel Thioune pak ditë më parë do të komentonte gjendjen e vështirë që po kalon mesfushori shqiptar me formën e tij, duke theksuar se ndoshta ambienti te kuqezinjtë për ndeshjet e nëntorit do e ndihmonte të kapte ritmin e duhur.
Por në vetëm pak kohë kreu i pankinës së Hamburgut ndryshon tërësisht mendim dhe shfaq luhatje humori, teksa “kërcënon” Gjasulën me karantinë nëse bashkohet me Shqipërinë. Diçka e tillë i heq mundësinë “gladiatorit” kuqezi të luajë 2 ndeshje me skuadrën e tij, por Gjasula e ka marrë parasysh sakrificën e tij për Kombëtaren.
Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për “Supersport”, lojtari 31-vjeçar ka zbuluar se do të humbasë ndeshjen me Kosovën, por të martën do të mbërrijë në Tiranë për të qenë në urdhërat e Rejas për dy sfidat e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Këto dy përballje janë vendimtare për Shqipërinë në Ligën e Kombeve dhe kjo është arsyeja pse Klaus Gjasula është gati të humbasë dy ndeshje me klubin për të veshur fanellën kuqezi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/