Vllaznia do të ndeshet në këtë javë ndaj Teutës në transfertë, në takimin e vlefshëm për javën e 22 të Superiores. Nëse shohim pikët e grumbulluara deri tani nga shkodranët dhe rezultatet e marra, është një rast vërtet i veçantë.
Në 21 ndeshjet e luajtura deri tani nga ana e Vllaznisë, janë marrë 7 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje. Një numër ky i veçantë, ndërsa peshorja do të ndryshojë në ndeshjen e ardhshme me Teutën. Por nëse flasim për punën e bërë nga trajneri Jonuz në përgjithësi, vlerësimet janë pozitive.
Me grupin që ka pasur në dizpozicion, është arritur thuajse maksimumi i rezultateve. Vllaznia gjendet në vendin e 7 me 28 pikë të grumbulluara, ndërsa e vetmja gjë që rrezikon, vjen nga vendi i “Play-offit”. Të vetmet takimet që janë humbur deri tani i përkasin përplasjeve me skuadrat e mëdha, ndërsa trajneri Jonuz ia hedh përgjegjësinë cilësive dhe diferencave të lojtarëve, por edhe psikologjisë së ngarkuar të skuadrës pas asaj rënie në Kategorinë e Parë, duke mos u shprehur mirë në fushë, veçanërisht në shtëpi. /Sport Ekspres/