Në dekadat e fundit Meksika ka furnizuar botën (fatkeqësisht edhe Shqipërinë) me telenovela, por nuk qenka për t’u çuditur, meksikanët qenkan mbretërit e telenovelave, edhe atyre bazuar në jetë reale.
Kombëtarja meksikane e futbollit është kthyer në një telenovelë më vete, sepse ditët e fundit 9 futbollistë meksikanë u pikasën nga mediat duke festuar me alkool e prostituta (30 të tilla, mbulim i rreptë i kundërshtarit) deri në mëngjes, në Nju Meksiko.
Është Botërori përpara, po kujt i intereson, kualifikimi u arrit dhe askush nuk i kërkon Meksikës të fitojë Kupën e Botës.
Edhe trajneri Huan Karlos Osorio ka pranuar se dinte gjithçka për festën me “pullë të kuqe”: “Isha në dijeni të festës, që u mbajt gjatë kohës së lirë që u kisha dhënë lojtarëve, ndaj nuk ka shkelje të rregullores së brendshme”. Bravo, ky është shpjegim korrekt, por si i bëhet me gratë e futbollistëve?
Njëra prej tyre, Shantal Majo, është e tërbuar me bashkëshortin e saj Hektor Herrera, aq sa ky i fundit është detyruar të largohet nga grumbullimi në Kopenhagen, për të shkuar në Meksikë për të sqaruar bashkëshorten.
Kushedi çfarë ka ndodhur mes tyre, por sot trajneri Osorio, plot seriozitet, deklaroi: “Hektori u kthye shëndoshë e mirë. E lejova të largohej sepse i duhej të zgjidhte situatën personale, aspekti njerëzor është më i rëndësishmi”. Trajneri meksikan duhet pyetur a e kontrolloi mirë Herrerën, sepse mund t’i mungojë ndonjë pjesë e rëndësishme e trupit në zona delikate, që do i duhet shumë në orgjinë e radhës!