Nëse flasim për trajnerin më të mirë të vitit në Superiore, padyshim që të gjithë japin emrin e Skënder Gegës si opsionin e vetëm. Por kur flitet për teknikun më të mirë të Superiores sa i përket këtij sezoni, të llogaritur deri në dhjetor, padyshim që zgjedhja e vetme është Dovedan.
Nga pesë ekipet e para në kampionatin shqiptar, vetëm Bylisi dhe Kukësi nuk e kanë ndërruar trajnerin. Por nëse verilindorët dhe Duro kishin një merkato shumë të fuqishme, kjo nuk ndodhi me ballshiotët. Me pak emra, por me shumë zemër, arritën që të jenë vetëm 1 pikë larg vendit të parë, Kukësit.
Gjithashtu për Duron ka pasur edhe më tepër luhatje gjatë sezonit deri tani, aqsa deri tek fitorja me Tiranës që bindi më tepër, ishte e vështirë që të gjendeshin dy triumfe radhazi. Ndërsa kjo nuk ka ndodhur me Bylisin, që nuk ka kaluar ndonjë krizë deri tani. E kjo flet më së miri për përrallën që ka vendosur ky ekip në Superiore, pasi tani mund të analizojë mirë edhe një humbje të marrë e jo të dorëzohet ndaj shumicës së ekipeve, siç mund të pretendohej më herët. Shumë kritika ka pasur sa i përket Dovedan mbi të gjitha edhe për origjinën dhe gjuhën e tij, por puna po dëshmon se është më i miri deri tani. /Sport Ekspres/