Trajneri i Flamurtarit tregon gjendjen: Lojtarët tanë ishin të acaruar, ndiheshin të dorëzuar

Pas derbit të Superiores që u zhvillua mbrëmjen e djeshme mes Partizani-Tirana e mbyllur në 1-2, po vazhdojnë të luhen edhe përballjet e tjera për javën e 15 të Superiores. Flamurtari ka barazuar ndaj Bylisit me shifrat 2-2, ndërsa nga krahu tjetër Laçi ka mposhtur pastër me rezultatin 4-0 Luftëtarin. Ndërkohë më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e trajnerëve të dhëna për “Supersport”:

Cungu (Laçi): “Unë i gëzohem fitores dhe ndeshja sot mbaroi, duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës. Ekipe të tilla është e vështirë që të përgatitesh, pasi Luftëtari po mbrohej me shumë forca. Është shumë e vështirë të shënosh golin e parë sepse më pas ato dorëzohen. Sot nga niveli i kundërshtarit na u dha mundësia edhe të freskojmë lojtarët që t’i ulim në stol, pasi është ndryshe përshembull të luash kundër Teutës dhe nuk ke mundësi të bësh gjëra të tilla. Na presin edhe dy faza më të vështira dhe nuk dua të shoh larg apo të flas fjalë të mëdha”.

Dovedan (Bylis): “Çfarë mund të them kur marrim gola nga hiçgjë? Këto gola ne i kemi dhuruar. Ka qenë shumë e vështirë pasi edhe kur shihja nga stoli, nuk kisha kë të fusja. Ne kishim shumë dëmtime. Ne jemi treguar shumë të papërgjegjshëm në fushë. Jam i kënaqur edhe me një pikë, pasi mund edhe të humbisnim. Nëse shohim ato 10 minutat e para nuk kemi bërë 2-3 pasime dhe ishte për t’u harruar”.

Marantas (Luftëtari): “Puna ime është që të merrem dhe të flas për futboll dhe jo për problemet jashtë fushës. Nuk duhet të bëjmë asnjë kritikë për humbjen ndaj Laçit pasi janë shumë më mirë se ne. Ia bëmë shumë të lehtë golat dhe kishim shumë pak raste. Jemi në një situatë të keqe dhe ne duhet të mundohemi që të jemi vazhdimisht mbi Flamurtarin. Kjo pasi me ekipet e tjera kemi shumë diferencë dhe na duhen shumë blerje për të ulur këtë diferencë. Këta lojtarë po mundohen për më të mirën dhe po luftojnë për klubin”.

Birçe (Flamurtari): “E kemi nisur mirë ndeshjen dhe u goditëm atëherë kur nuk duhet, në fundin e pjesës së parë. Lojtarët po gabonin në pasime të thjeshta dhe ishte një acarim te futbollistët. U mundova t’i qetësojë në pushim duke i thënë se ndeshja ishte 0-0. Ata ishin si të dorëzuar, pavarësisht fjalëve të mia. Kemi falur gola me një mbrojtje të brishtë. Skuadra ka prodhuar dhe ngërci ynë është te rastet e humbura, lojtarët që nuk vrapojnë shumë dhe gabimet foshnjarake në mbrojtje. Tani do të kërkojmë të mos dalim pa gjë, qoftë edhe me një barazim. Problemet tona dihen dhe mungon mbështetja financiare që tregohet në fushë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *