Në gusht të vitit të shkuar Françesko Toti mori pjesë në ceremoninë e hedhjes së shortit të grupeve në Champions League dhe ishte ai që tërhoqi goglat që çuan te përplasja Barcelona-Juventus në grup. Atëherë Toti qeshi duke parë Bufonin, si për të thënë: “Nuk e bëra me qëllim”. Tani Roma e Totit do të ndeshet me Barcelonën, sfidë thuajse e pamundur.
Gjithsesi, Toti buzëqesh sërish: “Jam i kënaqur, sepse jemi mes 8 skuadrave më të mira në Europë, ndaj do ishte njësoj edhe nëse ndesheshim me Sitin apo Realin. Jemi të qetë, duam të japim sërish më të mirën tonë. Në letër Sevilja apo Liverpuli ishte rivalë më të lehtë, por në fushë gjithçka është ndryshe. Besoj se edhe Barcelona është e shqetësuar, futbolli është i bukur sepse mund të ndodhë gjithçka, në çdo moment. Dolëm të parët në një grup të vështirë, kundër Çelsit dhe Atletikos, kaluam Shahtarin dhe deri tani jemi paraqitur shumë mirë, ndaj Barcelona do të duhet të djersitë për të kaluar më tej”.
Mesi përballë: “Djali im është i çmendur pas tij, di përmendësh gjithçka që Mesi bën. Herën e fundit që u ndeshëm, i kërkova fanellën për djalin, sepse i kisha dërguar 5 herë fanellën time”.
Ndërkaq, drejtori sportiv i Romës, spanjolli Monçi, ka komentuar shortin: “Nuk patëm fat, por do ta provojmë. Kam besim te skuadra, do të kemi shanset tona, duhet mentaliteti i duhur. Është një rast unik për të kuptuar që në futboll luhet 11 kundër 11 dhe që të gjitha skuadrat kanë shanse kualifikimi. Nuk është vetëm Mesi përballë, Barcelona është shumë e vështirë, ka ekuilibër dhe di të mbrohet më mirë se në të shkuarën. Preferoj ta luaj kthimin në shtëpi, nëse do të kemi shanse pas ndeshjes së parë në Spanjë, në stadiumin tonë të tejmbushur do ta themi fjalën tonë”.