FSHF ka bërë një tjetër arritje të madhe teksa ka marrë Europianin e U-17 që do të zhvillohet në Shqipëri, pasi ia doli me sukses në finalen e Conference League që u soll në Tiranë. Por ky sukses i Federatës është padyshim një e mirë që i vjen edhe Kombëtares së Shqipërisë. Kjo pasi Shqipëria U-17 është e kualifikuar në fazën e grupeve si vendi mikëpritës.
Kështu lojtarët tanë jo vetëm që do të rriten duke garuar me më të mirët për moshën e tyre, por do të ketë edhe shumë lojtarë që janë pjesë e Kombëtareve të tjera në grupmoshën e vogël që do të zgjedhin kuqezinjtë, pasi do të kenë mundësinë për të luajtur në fazën finale.
Në rrjetin social Tëitter, Fabricio, ka dhënë një ide për formacionin ideal që mund të ketë Shqipëria U-17 në këtë turne. Në letër, kjo skuadër duket shumë e frikshme me lojtarë që luajnë në grupmoshat e klubeve më të njohura në Europë.
Në portë do të ishte Raffaele Huli, lojtari i të rinjëve të Juventusit, i lindur në Itali, por me prindër shqiptar. Ai është thirrur nga Shqipëria U-15 në 2022, më pas kaloi te Italia U-15 dhe U-16, por për një kohë të konsiderueshme nuk është thirrur nga axurrët. Për këtë arsye, kalimi i tij te Shqipëria për herë të dytë nuk do të ishte i vështirë.
I vetmi lojtar nga Shqipëria do të ishte Elio Gjoshi, i rritur te Tirana. Në qendër të mbrojtjes do të ishin dy lojtarë të ardhur nga shkolla gjermane, Zogaj i cili vjen nga Bayern Munchen dhe Haradini i cili vjen nga Schalke. Ndërkohë në krahun tjetër të mbrojtjes, në të djathtin, është Kris Gecaj i Juventusit, që është pjesë e moshave të Shqipërisë.
Si mesfushor shkatërrues ndodhet Alex Ramku, nga Udineze, një tjetër lojtar që zotërohet aktualisht nga kuqezinjtë. Ndërkohë më i avancuar do të ishte Christian Prenaj i Frankfurtit, por ky lojtar është aktualisht tek të rinjtë e Gjermanisë, te U-16. Së bashku me Prenajn do të gjendej Blini i Empolit, por për këtë të fundit do të jetë më e vështirë kalimi i tij te Shqipëria pasi ka luajtur në gusht me Italinë U-17 dhe duket se lojtari nuk ka ndërmend ende të vijë te kuqezinjtë. Sulmi ka emra ekzotik, Leon Myrtaj është pjesë e Totenhem dhe është grumbulluar nga Shqipëria më parë.
Në majën e sulmit do të ishte Ylli Gashi, pjesë e Bayern Munchen, por që ka luajtur me Gjermaninë U-16 në vitin 2023. Dhe në fund, formacioni mbyllet me një emër interesant, Jordan Luan Kinnavong. Ky lojtar ka babanë nga Laosi në Azi dhe mamanë nga Kosova. Por pasi Shqipëria e ftoi, ai nuk e mendoi dy herë që ta pranonte ftesën, madje duke dalë menjëherë te goli me kuqezinjtë. Kinnavong është pjesë e Këln në Gjermani dhe luan si sulmues krahu i djathtë. Padyshim që me këtë formacion, Shqipëria do të ishte shumë konkurrese në EURO25. /Sport Ekspres/