Torasa: Partizani? Nuk po shoh gola…

Argjentinasi: Më vjen keq që të kuqtë janë në këto pozita. Jam i sigurt se do ta marrin veten. Rikthimi? Ku i dihet, futbolli është i çuditshëm

E mbani mend Agustin Torasën? Tifozët e kuq e kanë të skalitur në zemër dhe në memorie shtatshkurtrin nga Argjentina. I afruar në merkaton e janarit të sezonit 2015-16, ai e mbylli edhe sezonin 2016-17 me kryeqytetasit. Në merkaton e verës u largua, pasi pati pakënaqësi nga ana e drejtuesve për shkak se nuk shënonte gola. Torasa u largua nga Partizani para ndeshjeve të Europa Leagues, fatura e largimit të tij iu la në dorë Moxhit. Ky i fundit nuk e pëlqeu, pasi Torasa nuk shënonte dhe ishte i mirëpaguar. Tashmë, 28-vjeçari po luan në Argjentinë me skuadrën e Atletiko Mitre.

Torasa kthehet të flasë për “Sport Ekspres” në lidhje me karrierën e tij dhe Partizanin…

– Torasa, si po ecën aventura me ekipin e Atletiko Mitre? 

Po ecën mirë. Jam rikthyer në vendin tim dhe nuk ka shumë nevojë për ambientim. Kam hyrë pak me vonesë në përgatitje, por besoj se do të kap ritmin e skuadrës shumë shpejt.

– Pse qëndruat aq gjatë pa ekip në merkaton e verës?

– Në fakt  e teprova pak, por preferova të kaloja më shumë kohë me familjen time. Po shikoja edhe ofertat që kisha dhe isha në pritje për të zgjedhur më të mirën. Kjo ishte edhe arsyeja se pse prita kaq gjatë.

– A e keni ndjekur Partizanin në Argjentinë?

– Nuk i kam ndjekur të gjitha ndeshjet të them të drejtën, por pashë sfidat me Skënderbeun dhe Kukësin. Kam folur edhe me ish-shokët e ekipit.

– Ndryshimet dhe “largimet” duket se nuk kanë ndikuar mirë…

– Më vjen keq për Partizanin dhe pozitat që ka. Mendoj se tifozët nuk e meritojnë këtë renditje që kanë në tabelën e klasifikimit. Besoj se shumë shpejt do të rikthehen aty ku e kanë vendin, në majë të klasifikimit. Për të tjera nuk dua të gjykoj punën e drejtuesve.

– Ku çalon ky Partizan me atë çfarë keni parë ju?

– Nuk po shoh gola, kanë vështirësi për të dalë në sulm dhe kjo reflektohet edhe në rezultatet që kanë. 4 ndeshje, 0 gola është e rëndë.

– Ironike duket, pasi ju u larguat për shkak se nuk shënonit gola…

– (Qesh) Nuk dua të flas për situatat e kaluara. Kam lënë shumë miq te Partizani dhe kjo ka rëndësi.

– A e mendoni një rikthim te Partizani?

– Jam mirë në Argjentinë, ama futbollit nuk i dihet kurrë prandaj është i bukur. Të ardhmen nuk e di askush, prandaj edhe unë nuk mund të them se çfarë do të ndodhë.

 

1.5

vite qëndroi Torasa në skuadrën e Partizanit. Ai luajti 50 takime me të kuqtë duke koleksionuar 3752 minuta dhe duke shënuar 3 gola.

 

 

Largimi i Torasës dhe Moxhi

Largimi nga Partizani i Agustin Torasës iu faturua Drejtorit të Përgjithshëm Luçiano Moxhi. Italiani nuk e pëlqente shtatshkurtrin, pasi nuk shënonte gola dhe ishte i mirëpaguar. Kjo ndikoi edhe në vendimin për të. Torasa nuk e priti aspak mirë këtë moment dhe vendosi që të largohej nga Partizani duke mos u kthyer as për Kupat e Europës.

 

One thought on “Torasa: Partizani? Nuk po shoh gola…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *