Peshëngritësja shqiptare Evangjeli Veli ka rezultuar pozitive në kontrollet anti-doping që ka zhvilluar kohët e fundit, në prag të pjesëmarrjes në Kampionatin Europian, që do të zhvillohet nga 26 mars deri më 1 prill në Bukuresht të Rumanisë.
Veli ishte femra e vetme që do të përfaqësonte Shqipërinë në Europian, pas pezullimit të Romela Begajt, edhe kjo për doping. Megjithatë, nëse Begaj ka rezultuar pozitive pas Kupës së Botës në peshëngritje, ku ajo fitoi medalje të artë e të argjendtë, Veli duket se është testuar në Shqipëri, nga struktura anti-doping ngritur në Tiranë.
Evangjeli Veli do të garonte në peshën 58 kg, ndërsa në Kupën e Botës u rendit e teta nga 13 pjesëmarrëse.
Tashmë shpresat e peshëngritjes janë te Qerimaj, Godelli e Calja, duke shpresuar që djemtë kuqezinj të mos kenë probleme të tjera, aq më shumë që stërviten në kushte aspak profesioniste.