Tite polemik: Patëm ankth, por goli i Zvicrës ishte faull!

Barazimi 1-1 ndaj Zvicrës ka pasur edhe një polemikë për përdorimin e VAR-it. Shumë diskutime dhe polemika te goli i Zuberit me kokë, pasi shtyu pak Mirandën. Trajneri i Brazilit, Tite, është përpjekur që të shmangë këtë justifikim për rezultatin e skuadrës në këtë debutim në Rusi. Edhe pse, nuk mund të mos thotë mendimin e tij: “Do të doja të përgjigjesha vetëm për paraqitjen e skuadrës.

Nuk më pëlqen të flas për arbitrat, ndaj tyre nuk duhet ushtruar presion, sepse janë persona që vlerësojnë në moment. E megjithatë, shtyrja ndaj Mirandës është e dukshme. Nuk po justifikoj rezultatin, aspak. Dakord, episodi i Gabriel Zhesusit që mund të ishte penallti është në kufi dhe ndoshta arbitrat menduan se nuk mund të akordohej, por episodin e parë jo, duket qartë shtyrja. Në këto nivele nuk është e pranueshme”.Sakaq, mbi ndeshjen, tha: “Patëm disa luhatje në disa sektorë të fushës.

Volumi ishte i lartë, por ndoshta u tërhoqëm pak mbrapa dhe nuk është normale për Brazilin. Ankthi ndoshta na goditi. Bëmë Brazilin edhe pas golit të pësuar, edhe pse në fund nuk morëm atë që kërkuam. Mund dhe duhet të kishim bërë edhe më shumë. Duhet të përqendrohemi te paraqitjet. Në këtë moment, duhet ta harrojmë.

Nuk jam i kënaqur nga rezultati, aspak! Mund të them praktikisht se pas golit që pas 10 minutash, duhet të kërkonim të dytin dhe të mbyllnim llogaritë, sepse i jep mundësi kundërshtari të kthehet në lojë. Patëm pak ankth për të fituar, ndoshta presion dhe nuk luajtëm shpejt, ashtu si jemi mësuar”.

“Por, nëse kthehem te shifrat, praktikisht kemi pësuar gjashtë gola në 22 ndeshje të zhvilluara, por goli i Zvicrës ishte faull. Nuk e pranoj këtë rezultat. Miranda më tha se ndoshta duhet të ishte rrëzuar pas shtyrjes, ndoshta kështu mund të jepej faull, por i thashë që jo, sepse nuk dua që futbollistët e mi të simulojnë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *