Tirana kryen goditjen e parë, talenti kenian firmos

Është vetëm 21 vjeç, por Kenet Muguna është një yll në Kenia dhe tani e tutje do të jetë i Tiranës.

Mesfushori, i shpallur Futbollisti i Vitit sezonin e shkuar në Kenia, është edhe këtë sezon në garë për çmimin e futbollistit më të mirë, pasi sërish ishte fenomenal për Gor Mahian, klubi që është shpallur sërish kampion dhe është mbreti i futbollit kenian. Te Gor Mahia luan edhe Medi Kagere, sulmues që ka luajtur pak kohë te Tirana dhe është ndvr lojtarët më të spikatur në Kenia.

Muguna ka kohë që kërkohet nga Tirana, me kërkesë të prerë të trajnerit Ze Maria, ndërsa tani “Sport Ekspres” mëson se marrëveshja është arritur, Muguna është i Tiranës dhe ka firmosur një kontratë 4,5 vjeçare.

Tirana ka afruar shpesh vitet e fundit lojtarë cilësorë nga Afrika, duke i shitur goxha shtrenjtë këtë verë disa prej tyre, por Muguna është ndoshta afrikani më cilësor që është veshur bardheblu dhe mund të jetë një lojtar edhe më i spikatur se Mervej Ndokit, i cili këtë verë shkoi në Spanjë, te Getafe B.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *