Tirana, e varur nga merkatoja afrikane

Bardheblutë shohin vetëm lojtarë nga jashtë Europës, ndërsa tregu vendës është pothuajse i pamundur për të sjellë lojtarë

Olsi Avdiaj
Afrikë dhe vetëm Afrikë! Tirana është fokusuar në merkaton e huaj për të marrë lojtarët që dëshiron këtë janar. Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare, duket se merkatoja shqiptare dhe ajo e rajonit është shumë e vakët dhe në këto kushte bardhebluve u ka mbetur në dorë vetëm një zgjidhje. Merkatoja e huaj! Sipas drejtuesve bardheblu, të gjithë lojtarët kryesorë do të vijë nga kontinenti përtej Mesdheut.
Kosova e Maqedonia Tregu kosovar dhe maqedonas është shumë pak frytdhënës për Tiranën. Bardheblutë mund të afrojnë vetëm ndonjë lojtar okazion nga këto dy kampionate, që gjithsesi, nuk është se do të sjellin ndonjë gjë të madhe. Vetëm ndonjë i dëshpëruar do të pranonte të luante në Kategorinë e Parë shqiptare.
Afrika
Tregu afrikan duket se ka sjellë lojtarët e parë te bardheblutë. Por jo vetëm! Ka edhe shumë alternativa për ekipin 24 herë kampion. Është vetëm 21 vjeç, por Kenet Muguna është një yll në Kenia dhe tani e tutje do të jetë i Tiranës. Mesfushori, i shpallur “Futbollisti i Vitit” sezonin e shkuar në Kenia, është edhe këtë sezon në garë për çmimin e futbollistit më të mirë, pasi sërish ishte fenomenal për Gor Mahian, klubi që është shpallur sërish kampion dhe është mbreti i futbollit kenian. Muguna ka kohë që kërkohet nga Tirana, me kërkesë të prerë të trajnerit Ze Maria. Muguna është i Tiranës dhe ka firmosur një kontratë 4,5 vjeçare. Tirana ka afruar shpesh vitet e fundit lojtarë cilësorë nga Afrika, duke i shitur goxha shtrenjtë këtë verë disa prej tyre.
Alternativa 1
Pa kontratë dhe i lirë nga çdo detyrim prej Gor Mahias, Xhorxh Odhiambo është alternativë e Tiranës për janarin. Sulmuesi i Gor Mahias që zakonisht luan majtas, por edhe në dy pozicionet e tjera të repartit të avancuar, mund të vijë në janar te Tirana. Futbollisti aktualisht nuk ka asnjë kontratë me Gor Mahian dhe është i lirë nga çdo detyrim. Kjo e bën atë, një futbollist që mund të afrohet në ekip shumë shpejt dhe pa probleme. Në fakt, Blackberry siç e ka pseudonimin afrikani, ka tre vite te Gor Mahia, duke shënuar edhe gola pa fund. Futbollisti ka katër vite te Gor Mahia dhe duket se do të lërë ekipin, nga një ofertë e Tiranës.
Alternativa 2
Godfri Ualusimbi është një alternativë tjetër. Mësohet se lojtari ugandez është shumë pranë udhëtimit drejt Tiranës për tu vënë nën urdhrat e trajnerit brazilian. Në fakt, Ze Maria e ka kërkuar Ualusimbin që në verë, por futbollisti nuk u la nga Gor Mahia që të vinte te Tirana. Por tani kushtet janë pjekur dhe ugandezi mund të vishet bardheblu brenda pak ditësh. Ualusimbi është mbrojtës i majtë, që prej kohësh luan te Gor Mahia. Është 28 vjeç dhe 1.75 i gjatë. Prej tre vitesh është në skuadrën keniane. Futbolli ka më shumë se 150 ndeshje në karrierën e tij dhe me 30 gola të shënuar. Rreth 90 ndeshje e tre gola ka edhe me ekipin e Ugandës. Lojtari është një veteran i kombëtares së Ugandës dhe mund të jetë i rëndësishëm për ekipin e Ze Marias.
Alternativa 3
Duke përfunduar, emri i fundit që qarkullon, është ai i kapitenit të ekipit, Musa Muhamed. Shefi i klubit kenian është shprehur se kontrata e tij është drejt skadencës, dhe lojtari mund të largohet. Muhamed është mbrojtës, dhe vetëm disa ditë më parë, u zgjodh mbrojtësi i vitit në Kenia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *