Majkëll Ngo bëri zgjedhjen e duhur, duke u transferuar te Tirana në verë. Sulmuesi anglez, i cili në fillimet e karrierës kishte të dhëna fantastike, ka kaluar dëmtime shumë të rënda në karrierë, aq sa për një periudhë të caktuar nuk dihej a do luante më futboll.
Megjithatë, me vullnet të hekurt, gjiganti i sulmit bardheblu vendosi të kthehej dhe sezonin e shkuar u stërvit te Bromli, ndërsa në pranverë luajti në 13 ndeshje për Oldhamin, në Ligën 1 angleze (divizioni i tretë).
Ajo periudhë i vlejti shumë, për t’u kthyer futbollist në kuptimin e plotë të fjalës, ndaj këtë verë Ngo ishte i pasigurt nëse duhej të pranonte të luante në kategorinë e dytë shqiptare.
Gjithsesi, kur mësoi historinë e Tiranës, ambiciet e klubit dhe faktin që drejtonte Ze Maria, Ngo firmosi dhe ka bërë zgjidhjen e duhur, sepse ka luajtur thuajse në çdo ndeshje nga minuta e parë dhe ka shënuar 3 gola në 666 minuta futboll në kampionat, por edhe dy gola në kupë.
Kaq është dashur dhe ka nisur interesimi nga klube të huaja, ndërkohë që Sport Ekspres mëson se në zyrat e klubit bardheblu ka ardhur edhe një ofertë nga një klub i huaj: 150.000 euro për kartonin e sulmuesit që në janar!
Natyrisht, te Tirana do mendohen mirë, sepse shitjet e lojtarëve nuk duhet të bëhen pa kriter dhe skuadra duhet ruajtur e përforcuar për sezonin e ardhshëm, që me shumë gjasa do të jetë në Superiore.