Në filozofinë e futbolli ekziston gjithnjë ideja se për të pasur sukses duhet të sigurosh fillimisht hapësirat në prapavijë. Thonë se mbrojtjet fitojnë titullin dhe sezonin e shkuar Teuta e vërtetoi një thënie të tillë. Por këtë edicion Tirana dhe Kukësi kanë hedhur poshtë këtë hipotezë.
Në të vërtetë është sulmi ai që deri në këto 12 javë ka sjellë pikët për këto dy skuadra. Tirana dhe Kukësi janë dy ekipet që numërojnë më shumë fitore në kampionat, respektivisht 8 dhe 7 të tilla. Por që të fitosh duhet më parë të shënosh, gjë të cilën të dyja dinë ta bëjnë më së miri.
Reparti i avancuar funksionon më së miri si për bardheblutë edhe për verilindorët dhe për këtë mjafton të hedhim një sy në listën e golashënuesve. Ai që udhëheq është Basha i Kukësit me 7 gola, po aq sa Seferi i Tiranës. Ndërkohë për kryeqytetasit në top 10 gjendet edhe Ngo me Xhixhën, të dy nga 4 gola. Pra çdo lojtar i sulmit ka arritur të jetë protagonist në këto javë, duke grumbulluar në total 15 gola vetëm prej tyre për Tiranën.
Sa i përket Kukësit përpos Bashës, rrugën e rrjetës nuk e kanë pasur të vështirë ta gjejnë as sulmuesi Feizhao e as serbi Milunoviç, të cilët kanë tundur rrjetën nga 5 herë secili. E thënë ndryshe të tre këta lojtarë i kanë sjellë ekipit verilindor plot 17 gola në këto 12 javë kampionat. Kjo është edhe arsyeja përse si Kukësi, ashtu edhe Tirana, qendrojnë në dy vendet e para të tabelës së klasifikimit dhe kanë hedhur baza të forta për të qendruar deri në fund në ato pozicioni./Sport Ekspres/