Tirana i ka dhënë fund dilemave për stadiumin ku do të luhet ndeshja e ardhshme. Bardheblutë kanë vendosur stadiumin “Air Albania” si vendin ku do të përballen me Teutën, ndaj të cilëve kërkojnë fitoren e 6 radhazi. Edhe pse tifozët më të zjarrtë të klubit kryeqytetas, “Tirona Fanatics”, ishin kundër një mundësie të tillë, duke cilësuar “Selman Stërmasin” si shtëpinë e tyre të vetme, kjo nuk ka ndikuar në vendimin e Tiranës.
Lajmi për vjen nga vetë klubi me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, ku kërkon edhe përkrahjen masive të tifozëve. Gjithashtu, bardheblutë kërkojnë edhe mirëkuptimin e “Tirona Fanatics” dhe grupeve të tjera tifozerike për këtë zgjedhje. Megjithatë dashuria për klubin e zemrës duket se është më e madhe për këtë grupim tifozësh, të cilët kanë lënë mënjanë egon e tyre dhe kanë pohuar praninë e tyre të dielën për të mbështetur skuadrën e Tiranës./Sport Ekspres/