Një tifoz i veçantë për Tiranën është padyshim Muhamed Zalta. Bardheblutë kanë shumë mbështetës si klub, por padyshim që rasti në fjalë meriton një vëmendje më të madhe. Zalta e ka ndjekur dhe dashuruar këtë klub prej 58 vitesh, duke mos e tradhëtuar dhe braktisur për asnjë ditë të vetme.
As në periudhat më të këqija të ekipit, që gjatë viteve të fundit ka hasur lëkundje dhe dramë më vete e cila kulmoi me rënien nga Superiorja. Në një rrëfim të shkurtër për “Top Channel”, tifozi preket kur kujton fitoren e fundit me Partizanin, por përmend edhe një episod të veçantë ndaj Dinamos.
“Nuk më harrohet një ndeshje në 67, Tirana-Dinamo. Shiko sesi më bëhet mishi tani. Dinamo i ndërronte fanellat nga 2-3 herë, Tirana i fuste fanellat te pellgu ujit, i lante dhe pastaj i vishte prapë. Kjo është llahtari e madhe. Egbo është trajner i mirë, por vonon ndërrimet. Derbi i fituar me Partizanin? Shihja njerëzit duke qarë, duke bërtitur: “Tirona, Tirona…(preket)”, mbyll rrëfimin Muhamed Zalta. /Sport Ekspres/