“Tifozëve të Dinamos nuk u intereson çfarë ndodh nga pas”, Mile skanon Superioren: Longo luan shah me deklaratat, Ismajlgeci e ardhmja e futbollit tonë

Vangjel Mile ka dhënë një intervistë në emisionin “Sport Magazine”, të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News“. Ish-futbollisti shqiptar ka skanuar kampionatin shqiptar, duke dhënë mendimin e tij për paraqitjet e deritanishme të ekipeve kryesore të “Abissnet Superiore”-s. Mile sheh problematike situatën te Dinamo, ndërsa nga ana tjetër vlerëson punën e bërë te Kukësi.

“Për Teutën ka ndikuar shumë pozitivisht ndryshimi i pankinës, pasi Arapi do të bëjë më të mirën e tij për kampionët në fuqi që ti rikthejë në krye të takimit. Për ekipin dinamovit po shikojmë që ka një problematikë, të cilën mund ta dijë vetëm Bledi Shkëmbi me stafin e tij teknin. Por po shikojmë një Dinamo që nuk po prodhon lojë, një Dinamo që nuk po mundet të marri rezultat. Për fat të keq një nga lojtarët që ka qenë heroi i ekipit, bëri një gabim që e ndëshkoi ekipin dinamovit.

U pa që u mirëinvestua. U pa që është një Dinamo që po ringrihet nga pikëpamja e infrastrukturës. Tani tifozët dinamovitë dhe ambienti përqark do rezultatin, nuk është i interesuar shumë çfarë ndodh nga pas. Të gjithë ekipet që vijnë nga kategoritë inferiore, pavarësisht se Dinamo është emër i madh në futbollin shqiptar, kanë vështirësi të gjejnë veten e tyre në Superiore. Niveli i saj është rritur.

Sa për Partizanin më bëhet shumë qejfi që i është dhënë mundësia trajnerit Daja, që nuk është larguar nga ekipi dhe i kanë besuar atij projekti që ai ka nisur. Në tre javët e fundit Partizani ka kthyer dhe është ringjallur.

Longo po e shikon ekipin që po konsolidohet nga ndeshja në ndeshje. Po shohim një ekip që po luan bukur futboll, luan mirë në fazën sulmuese, shënon shumë. Mendoj që Pero Pejiç ka bërë zgjedhjen e duhur për ti besuar drejtimin e Kukësit Diego Longos. Vuajti vjet shumë, sivjet shohin një Kukës ndryshe. Modestia e Longos në krahasim me Tiranën? Mendoj që Longo po luan shah. Te ekipi i Kukësit është bërë merkato shumë e mirë, është investuar. Nuk ka diferenca të mëdha në anën financiare. Shumë mirë që mundohet të jetë me këmbë në tokë trajneri i kuksianëve, mendoj që Kukësi është një ekip që do rivalizojë deri në fund.

Lojtari më i mirë? Seferin e shikoj që është në formën e tij më të mirë. Por një nga lojtarët që më ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë është Ismajlgeci, që mendoj është e ardhmja e futbollit shqiptar. E shikoj që është në formën e tij më të mirë. Shpresoj të rrijë pak te Tirana dhe të dalë jashtë. Të shijojë një kampionat të huaj dhe të ketë një karrierë të gjatë”, ka thënë Vangjel Mile./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *