Cristiano Ronaldo nënshkroi kontratën më të madhe në historinë e futbollit me Al Nassr. Por edhe para kësaj firme, 37-vjeçari portugez konsiderohej si një nga sportistët më të pasur në botë. Portugezi shpesh etiketohet si një njeri tejet arrogant në botën e futbollit, megjithëse vazhdimisht pretendon se nuk është aspak dhe se është një njeri i zakonshëm që nuk e ka ndryshuar pasuria.
Mirëpo, pak ditë më parë, shumë tifozë kritikuan ashpër Cristianon dhe Georginan. Shkak është bërë fotografia e djalit pesëvjeçar Mateo dhe vajzës më të vogël Esmeralda. Në foto, 5-vjeçari Mateo ka një vath diamanti që dyshohet se vlen miliona euro dhe për shumë kjo është mburrje e panevojshme. Ka shumë kritikë që besojnë se është e papërshtatshme që një fëmijë pesëvjeçar të mbajë një palë vathë të tillë dhe se prindërit po i dërgojnë një mesazh mjaft të keq botës. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/