Ditën e premte të gjithë sytë do të drejtohen nga “Air Albania”, aty ku do të luhet edhe derbi i radhës mes Tiranës dhe Partizanit. Një duel i vështirë për të dyja krahët, që këtë vit synim të vetëm kanë titullin kampion. Tirana po gëzon një formë të jashtëzakonshme nën drejtimin e Egbosë dhe një fitore në derbi do i falte edhe më tepër siguri në krye të tabelës.
Ndërkohë përballja mes këtyre dy skuadrave është e zjarrtë edhe në shkallët e stadiumit, ku të dyja tifozeritë kanë ditur gjithnjë si të dhurojnë spektakël. Grupimi “Tirona Fanatics” i skuadrës bardheblu kanë konfirmuar praninë e tyre në “Air Albania” dhe përmes një postimi në faqen e tyre zyrtare në “Facebook” kanë ndezur derbin përpara kohe. Tifozët e Tiranës ironizojnë rivalin e tyre të përjetshëm Partizani, të cilin e quajnë edhe “turpi i Shqipërisë”./Sport Ekspres/