Prag-Botërori nuk po ecën aspak mirë për Gjermaninë, sepse rezultatet dhe loja në miqësore kanë qenë zhgënjyese, por edhe jashtë fushe ka probleme.
Trajneri Joakim Lëv është kritikuar për faktin se nuk mori në Botëror sulmuesin e Mançester Sitit Leroj Sane, ndërsa është kritikuar ashpër edhe Mats Humels, i cili nga ana e vet në konferencë për shtyp tha fjalë të ashpra për brezat e rinj dhe sjelljen e tyre.
Nuk mbaron me kaq, sepse Ozil e Gundogan u takuan para pak ditësh me presidenti turk Erdogan dhe i dhuruan fanellat, ku shkruhej “Për presidentin tim”. Ky veprim ka ngjallur reagim të ashpër në Gjermani, sepse veprimi është cilësuar mbështetje për një politikan që akuzohet nga shumë njerëz për shkelje të të drejtave të njeriut në Turqi.
Miqësoret e fundit të Gjermanisë kanë qenë të çuditshme, sepse ka pasur fishkëllima pa fund për dy futbollistët, ndërsa sot ka reaguar Gundogan për mediat gjermane: “Nuk kemi pasur për qëllim të ofendojmë askënd, nuk kemi dashur të tregojmë asgjë. Ishim të ftuar në një event bamirësie dhe thjesht bëmë një gjest mirësjelljeje. Jemi krenarë që jemi gjermane, ndihemi të tillë dhe jemi integruar në Gjermani, ndaj më kanë lënduar shumë ofendimet personale”.
Duhet theksuar se në të shkuarën edhe kancelaria gjermane është munduar të shfrytëzojë imazhin e kombëtares, duke shkuar në dhomat e zhveshjes pas një takimi miqësor kundër Turqisë dhe duke u fotografuar me lojtarët, mes të cilëve Ozil. Megjithatë, Federata Gjermane e kritikoi ashpër atë veprim dhe kërkoi që politika të mos e shfrytëzonte sportin për të përmirësuar imazhin e vet.