Tifozët e konsiderojnë skandaloze, Inzagi flet për mëdyshjen: Mendova se do ishte ndeshja e Vedat Muriqit

Pas humbjes me Milanin në shifrat 3-2, tifozët e Lacios kanë shpërthyer në rrjetet sociale duke bërë komente negative për Vedat Muriqin. “Fenerbaçe na ka vjedhur. Muriqi nuk është as për Serinë B. Çfarë dështimi nga Tare”, janë disa prej komenteve më të përmendura. Sulmuesi shqiptar hyri që në pjesën e parë pas dëmtimit të Correas, por sërish nuk arriti që të realizonte golin e parë në Seria A. E në këto nivele të larta nuk ka durim të gjatë për të pritur shpërthimin e një futbollisti.

Kjo e dëmton së tepërmi Muriqin në aspektin psikologjik, duke mbajtur mbi supe edhe sulmet e tifozëve, përtej faktit që nuk po arrin të thyej akullin në Itali. I pyetur nga gazetarët se përse zgjodhi të fuste Muriqin përpara një sulmuesi më produktiv si Caicedo, Inzagi ka treguar “pendimin e tij”: ”Caicedo ka dalë nga ndeshja e fundit pak i lodhur. Muriqi më bindi në stërvitjen e djeshme pasi bëri mirë. Mendova se kjo do të ishte ndeshja e tij”, ka thënë Inzagi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *