Napoli po marshon bindshëm në krye të klasifikimit, ku udhëheq i qetë me 19 pikë diferencë nga vendi i dytë. Duket çështje kohe edhe zyrtarizimi i titullit kampion për të kaltrit, që këtë sezon kanë qenë të pandalshëm në histori. Por ka ende nga ata që besojnë çmendurisht te mrekullitë. Nuk bëhet fjalë për tifozë të Interit apo Lacios që gjenden pas Napolit, por për një mbështetës të Juventusit.
Bardhezinjtë mund të rimarrin 15 pikët e hequra pas apelimit në Gjykatë, çka ka do i dërgonte në kuotën e 56 pikëve në total. Kaq ka mjaftuar për të nxitur imagjinatën e tifozit, i cili ka marrë lapsin dhe letrën dhe ka nisur llogaritë matematikore. Ai krahason kalendarin e “zonjës së vjetër“ dhe Napolit, teksa për këta të fundit parashikon humbje në përballjet direkte me Juventusin, Milanin, Interin dhe Bolonjën dhe barazim me Leçen, Udinezen, Fiorentinën dhe Monzën.
Një skenar gati utopik, duke marrë parasysh ecurinë e ekipit të Spaletit këtë sezon, por jo për tifozët e Juventusit. Në këtë rast do të mjaftonte që bardhezinjtë të fitonin po thuajse gjithë ndeshjet e mbetura dhe në fund do të mund të grumbullonin një pikë më tepër se sa Napoli. Megjithatë mbeten edhe shumë javë deri në përfundim të kampionatit dhe deri atëherë tifozët mund të ëndërrojnë./Sport Ekspres/