Fitorja e përfaqësueses së Anglisë ndaj Holandës nuk ka kaluar pa incidente jashtë fushës së lojës.
Sipas të dhënava nga policia e Amsterdamit, gjatë ditës së enjte dhe të premte janë arrestuar rreth 115 persona, shuma e të cilëve të dehur dhe të akuzuar për “prishje të qetësisë”, por kishte dhe nga ata që u përleshën me forcat e rendit.
Trajneri i Anglisë, Gareth Sauthgejt, komentoi mbi incidentet duke thënë: “Dëgjova disa fishkëllima e thirrje gjatë himneve dhe nuk ishte diçka e bukur. Më vjen keq që dëgjoj të tilla lajme, pas një ndeshje ku fituam me një lojë shumë të bukur.”
Tifozët anglezë kanë qenë shpesh problematikë dhe tashmë në Angli ka shqetësim të madh për Botërorin rus, sepse në Euro 2016 anglezë e rusë u përleshën në Francë.
“Skena të papranueshme, i dënojmë me ashpërsi. Duhet respekt për vendin pritës dhe duhet qytetari në sjellje. Do të bashkëpunojmë me policinë britanike dhe do të dënojmë çdo tifozë që zbulohet se ka qenë i përfshirë në trazira”, tha një zëdhënës i Federatës Angleze.