Surpriza më e madhe e Kupës së Shqipërisë mbërriti nga Flamurtari. Pavarësisht emrit të madh të saj, kjo skuadër ndodhet në Kategorinë e Dytë. Megjithatë kjo nuk do t’i ndalonte për të mundur Kastriotin, ekipi ky që është pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Diferencat nuk ishin shumë të mëdha në cilësi sa në letër, pasi projekti i Flamurtarit është për t’u rikthyer në elitë dhe ka në organikë lojtarë që kanë qenë pjesë e rëndësishme e kampionatit shqiptar.
Mes tyre përfshihet edhe Ditmar Bicaj, që menjëherë pas ndeshjes, ka zhvilluar një intervistë për “Sport Magazine” që moderohet nga Drilon Xhepollari. Bicaj nuk e konsideron këtë rezultat si surprizë, ndërsa mes të tjerash, tregon me sinqeritet edhe “vuajtjet” e Kategorisë së Dytë.
“Kjo tingëllon si surprizë e madhe, por nuk është në fakt. Duke marrë parasysh shpenzimet e Flamurtarit, po flasim për 8 lojtarë që kanë qenë pjesë e elitës, janë marrë lojtarë me shpenzime shumë të mëdha dhe objektivi ynë është që të kthehemi sërish në Superiore. Kemi futbollistë që janë shumë të njohur në Superiore.
Ne kishim besim se do të kalonim, pavarësisht se jemi në Kategorinë e Dytë. Objektivi parësor është që të mbyllim hesapet sa më shpejt në Kategorinë ku militojmë. Ndërsa Kupa e Shqipërisë është prestigji që të përfaqësojmë sa më mirë klubin. Siç e thashë më parë, surprizë është për ju gazetarët dhe mediat, po jo për ne.
Deri tani jemi të kënaqur dhe ta themi kështu: “Mos ta marrim veten mësysh”. Në çdo transfertë që shkojmë, ekipet luajnë egër se thonë: “Uuu Flamurtari”. Tejkalohen disa herë limitet e futbollit, por Vlora quhet për trimëri”, shprehet mes batutës Bicaj. /Sport Ekspres/