Ndeshja e javës së 23-të të Superiores mes Kukësit dhe Tiranës la pas 152 ulëse të thyera në stadiumin “Air Albania”, prej të cilave 133 ishin nga krahu i tifozëve bardheblu. FSHF-ja së bashku me klubet që u përballën në fushë dënuan këtë akt si dhe kërkuan nga autoritetet përkatëse që personat të cilët kryen sjellje të tilla të vendoseshin para drejtësisë.
Ndërkohë Policia e Shteti bën të ditur se ka arrestuar një tjetër tifoz me akuzën për shkatërrim të pronës dhe prishje të qetësisë publike. Shtetasi me inicialet F.N. është banues në Tiranë dhe është vënë në pranga nga forcat e policisë. Sipas tyre 19-vjeçari rezulton që gjatë përballjes Kukësi-Tirana ka thyer stolat në “Air Albania” dhe ka hedhur sende të forta në fushë./Sport Ekspres/
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Tiranë
Kapet një tjetër person, për shkatërrim të pronës dhe prishje të qetësisë publike.
Shkatërroi stolat e stadiumit “Air Albania” dhe hodhi sende të forta në fushë gjatë ndeshjes Tirana-Kukësi, vihet në pranga 19-vjeçari.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në kushtet e flagrancës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, i shtetasit: F. Z., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera nga ana e Policisë ka rezultuar se gjatë zhvillimit të ndeshjes Tirana – Kukësi, ky shtetas ka thyer stolat e stadiumit dhe ka hedhur sende të forta në fushën e stadiumit “Air Albania”, Tiranë.