Durrsakët nuk duan ta humbasin “trenin e fundit” dhe ndaj Kamzës do të japin gjithçka në fushë për të marrë trepikëshin e shpresës
Për Teutën çdo ndeshje e mbetur e kampionatit është si një finale dhe e para është kjo që luhet sot në fushën e Kamzës, që ka pretendimet e saj për një vend në Europë. Trajneri i Teutës, i cili është ulur në stolin durrsak para pak kohësh, kërkon fitoren e parë, që do të ishte edhe pika e kthesës për skuadrën e tij. Barazimi në shtëpi me Flamurtarin ishte sinjali i parë pozitiv, por tani duhen fitoret, madje edhe në transfertë. Durrsakët pritet t’i shkarkojnë të gjitha “bateritë” në fushën e Kamzës, ku një fitore e mundshme do të rriste shpresat e mbijetesës në Superiore. Ndoshta do të bënte që diferenca prej katër pikësh me Vllazninë të ngushtohej që sot. Dihet shumë mirë që Kamza është një kundërshtar shumë i vështirë, që fazën e dytë e ka mundur Teutën në Durrës, ndaj dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Begeja është përgatitur për një sfidë delikate, që kërkon përqendrim maksimal.
HËRKAÇ-MUSTAFOV – Për fat të keq, trajneri duhet të bëjë pa dy lojtarë titullarë, Hërkaç dhe Mustafov. Janë mungesa që rëndojnë, pasi dihet që Teuta nuk ka shumë alternativa në grupin e lojtarëve. Stafi teknik ka kryer dje seancën e fundit stërvitore dhe trajneri Begeja e ka të qartë se cilët lojtarë do të hedhë sot në fushë nga minuta e parë. Ante Hërkaç dhe Burhan Mustafov janë të dy të dëmtuar dhe ai nuk i ka llogaritur për transfertën e Kamzës. Më shumë punë prish mungesa e mbrojtësit Hërkaç, i cili kohët e fundit ka luajtur edhe si mesfushor qendre. Pavarësisht këtyre mungesave, durrsakët sot kanë vetëm një alternativë dhe ajo është fitorja.
Formacioni i mundshëm i Teutës
Moçka – Gjorgievski, Shkalla, Bilali, Hakaj – Çyrbja, Beqja, Lajthia, Alhasan – Dediç – Latif