Ndeshja kundër Partizanit do të mbahet mend gjatë në Durrës, jo për humbjen, pasi nuk është as e para e sigurisht që nuk do të jetë as e fundit. Durrsakët do ta kujtojnë për fatin e keq, pasi nuk arrijnë të dalin me pikë nga një sfidë që ishin në avantazh, humbën penallti dhe iu anuluan 2 gola, e tmerrshme.
Megjithatë, djemtë e trajnerit Magani duhet ta hedhin pas krahëve këtë disfatë, takimi i radhës është akoma më i vështirë. Bregdetarët do të udhëtojnë drejt Kukësit për t’u ndeshur me kampionët në fuqi të vendit. Në një stadium me një fushë më të vogël, bar artificial, po tapet i keq artificial! E për të mos mjaftuar të gjitha këto vështirësi, numri një i stolit duhet të bëjë llogaritë edhe pa sulmuesin Ardit Shehaj dhe mesfushorin Anel Dediç.
DEDIÇ – Boshnjaku është dënuar për 5 ndeshje nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së. Ai në ndeshjen kundër Partizanit goditi me bërryl Kalarin duke i shkaktuar një plagë të thellë në kokë. 26-vjeçari nuk është falur aspak nga KDS-ja, pasi goditja e tij është konsideruar e qëllimshme. “Lojtari i KF “Teuta”, Anel Dediç, për goditje ndaj lojtarit kundërshtar, në bazë të nenin 48/1.e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti”, – shkruhet në vendimin e KDS-së për boshnjakun. Një tjetër mungesë për trajnerin Magani do të jetë edhe ajo e sulmuesit Shehaj që doli me karton të kuq nga loja. Këta mungesa do ta bëjnë edhe më të vështirë rezultatin pozitiv në Kukës, pavarësisht se Teuta nuk ka shumë alternativa të tjera duke parë se në 3 javët e fundit ka marrë 2 humbje dhe 1 barazim.