Skuadra e Tërbunit rikthehet sërish në Pukë, ku sot pret skuadrën Besës, që javët e fundit ka pasur probleme dhe i mungojnë rezultatet pozitive. E vetmja mungesë për pukjanet është mbrojtësi Flavio Prendi, i cili është i dëmtuar, ndërsa kthehet sulmuesi Florind Taku, i cili mungon prej muajit të shkuar. Për sfidën kundër Besës, mesfushori Donald Saliaj është optimist, teksa për gazetën deklaron: “Dy fitoret e fundit na kanë motivuar. Ndeshja kundër Besëlidhjes ishte mjaft e rëndësishme dhe mjaft e vështirë, por ne dhamë maksimumin dhe nuk ndaluam deri sa morëm rezultatin që dëshironim. Fitorja na ka ngjitur në klasifikim dhe tani do luajmë të marrim tre pikët ndaj Besës, për të siguruar një vend në pesëshen e parë në fund të fazës. Nuk e nënvlerësojmë kundërshtarin, pasi kjo sfidë është shumë e rëndësishme dhe ne duam që gjithashtu ta mbyllim këtë vit të ri me një fitore dhe t’ia dhurojmë tifozëve tanë”. /Gani Pema
Besë e “sakatuar” në Pukë
Kavajasit janë nisur që dje drejt Pukës, ku i pret një transfertë e vështirë, por Besa ka më shumë se kurrë nevojë për pikë. Ndaj Tërbunit nuk do të ketë asnjë mëdyshje për të luftuar fort në fushën e lojës e mos u kthyer në Kavajë “duarbosh” . Shqetësuese konsiderohen mungesat, me qendërmbrojtësin Besmir Kullollin të pezulluar, ashtu si kapiteni Meglid Mihani i skualifikuar prej kartonëve. Po bëhen përpjeke për rikuperimin e ndonjë futbollisti, që gjatë javëve të fundit nuk është aktivizuar, e madje ka punuar veçmas grupit kryesor. Kjo ndeshje kërkon një sakrificë të madhe dhe të gjithë futbollistët e kanë të qartë. Ata që sot kanë shansin të luajnë si titullarë duhet të justifikojnë më së miri besimin që u ka dhënë stafi teknik. Ndër ta janë portieri Bruno Puja, mesfushorit me tipare sulmuese Geri Selita, si mesfushori tjetër që është pjesë e skuadrës së të rinjve, Arbër Deliu. Pritet t’i shtohet ekipit edhe ndonjë emër tjetër nga kontigjenti i grupmoshave, ku Besa ka qenë e detyruar të mbështetet edhe prej largimit të katër lojtarëve si Morina, Kaja, A. Kaloshi dhe Isufi, por edhe dhe mungesës për arsye dëmtimi të Dukës, Ed. Hoxhës, Carës, E. Kaloshit e Rexhepajt. Madje është mësuar se dje se për arsye shëndetësore nuk ka udhëtuar drejt Pukës edhe qendërmbrojtësi Erand Hoxha. /Fatmir Efica
Formacionet e mundshme
Tërbuni: Rexhepi, Beci, Balaj, Zagani, Shytani, Pepaj, Mezini, Saliaj, Shabaj, Hoxha, Nimani. Trajner: K. Krepi
Besa: Puja, Perja, Brahimaj, Bushi, Biba, Shabani, Dervishi, Oshafi, Ramilli, Deliu, Selita. Trajner: B. Sinella