Ka nisur prej disa ditësh kursi i radhës për Drejtor Sportiv që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit nën udhëheqjen e specialistëve të Departamentit të Edukimit dhe do të zgjasë rreth 1 muaj.
Kursi përbëhet nga disa sesione që mbulojnë fusha të rëndësishme të punës së drejtorit sportiv, si: Burimet njerëzore, skautizmi, rregullorja e lojës dhe kolegjiumet e arbitrave, qeverisja, organizimi i stadiumeve, marketingu dhe e drejta TV, licensimet, PR, analizat e një ndeshjeje futbolli, organizimi i sektorit të të rinjve, etj.
Një nga të ftuarit special për të dhënë leksione në kursin e Drejtorit Sportiv ishte edhe italiani Alessandro Pizzoli, një figurë me përvojë të gjatë në rolin e skautit. Pizzoli, i cili ka nisur karrierën në vitin 1993 me klubin e Atalantës në sektorin e të rinjve, ka pasur një karrierë mbresëlënëse duke punuar për klube të mëdha si Atalanta dhe Inter për nga 9 vite, si dhe ka shërbyer si skaut për ekipin e Chelsea-t.
Gjatë leksionit, ai ndau eksperiencat e tij si skaut, duke theksuar rëndësinë e kësaj figure në krijimin e vlerave teknike për klubet, si për ekipin e parë ashtu edhe për sektorin e të rinjve. Ai theksoi se qëllimi kryesor i sektorit të skautingut është krijimi i talenteve që në të ardhmen mund të gjenerojnë të ardhura për vetëfinancimin e klubit.
Pizzoli gjithashtu foli për ndryshimet që ka sjellë teknologjia në skautim, duke përmendur platforma të ndryshme që përdoren për analizimin e lojtarëve dhe parametrave të tyre. Teknologjia, sipas tij, ka revolucionarizuar çdo aspekt të skautimit modern.
Përgjatë javës së dytë të kursit u zhvilluan sesione të rëndësishme në lidhje me parimet e menaxhimit dhe planifikimit, kodet e drejtësisë sportive, rregullat e FIFA-s dhe transferimi i lojtarëve.
Gjithashtu, drejtori Teknik i FSHF-së Fulvio Pea foli gjatë kursit mbi rrugëtimin teknik të një drejtori sportiv, ndërsa drejtori Administrativ i FSHF-së, Aldi Topçiu, foli për aspektet juridike, kodet e drejtësisë sportive, rregullat e FIFA-s dhe procesin e licencimit.
Drejtorja e Departamentit të Burimeve Njerëzore në FSHF, Edlira Jaupaj ndau me pjesëmarrësit ekspertizën e saj mbi menaxhimin e punonjësve në një mjedis sportiv. Ndër lektorët e pranishëm gjatë këtyre ditëve në kurs ishin edhe Gazmend Malo, Abdyl Kuriu, Envi Hicka, Andi Zëre, Ardi Behari, Gianluca Stesina apo edhe Erion Meta, të cilët referuan për fushat e tyre të ekspertizës.
Ndër të ftuarit special në këtë javë të parë ishte Tefik Osmani, drejtori sportiv i klubit Vllaznia, i cili diskutoi çështje të ndryshme që lidhen me menaxhimin dhe drejtimin e një klubi futbolli. Ai foli me detaje për mënyrën se si organizohet një klub nga aspekti administrativ dhe sportiv, duke theksuar rëndësinë e një strukture të qartë dhe të mirëkoordinuar për arritjen e rezultateve.
Sakaq, ai ndau me pjesëmarrësit përvojën e tij lidhur me strategjitë dhe filozofitë që përdoren për të menaxhuar një klub të suksesshëm, duke theksuar rëndësinë e planifikimit afatgjatë, seleksionimit të duhur të lojtarëve dhe zhvillimit të talenteve të rinj.
I ftuar për të ndarë njohuritë me kursantët ishte edhe drejtori i Departamentit PR në FSHF, Fatjon Kodra, i cili diskutoi për rëndësinë e marrëdhëniet të klubeve me median, zhvillimin teknologjik dhe të rrjeteve sociale, si edhe praktikat e PR para dhe pas ndeshjeve zyrtare.
Kursi i Drejtorit Sportiv në FSHF është një nga shumë mundësitë e zhvillimit për specialistët e sportit, të cilët duan të ndërtojnë një karrierë në menaxhimin e futbollit.