“Teatër, lojtarë skllevër që nuk i paguajnë shtetit“, Rama thyen heshtjen për bojkotin e Superiores dhe habit: Nuk kam pasur kërkesë zyrtare

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi zyrtarisht ditën e sotme shtyrjen pa afat të Kategorisë Superiore. Kërkesat e krerëve të klubeve nuk janë marrë në konsideratë nga Qeveria dhe për këtë arsye ka një vendosmëri unanime dhe të palëkundur për të bojkotuar kampionatin deri sa të marrin një zgjidhje. Kërkesa me 4 pika ka dalë në dritë që prej një muaji më parë, por vetë kryeministri Rama habit dhe mohon nja fakt të tillë.

Në një prononcim për mediat, kreu i qeverisë shqiptare duket se nuk ka ndërmend të kthejë sytë nga kjo çështje. Rama përmend sërish faktin se lojtarët deklarohen me rroga fasonësh, duke mos derdhur kontributet e duhura në arkat e shtetit.

“Nuk kam asnjë dijeni për kërkesat. Nuk kam pasur asnjë kërkesë zyrtare për të diskutuar. Kemi bërë një sërë ndryshimesh në funksion të sporteve dhe të futbollit në veçanti. Nëse ka dialog, ka mundësi për të parë më tutje”, kështu e nisi kryeministri Edi Rama fjalën e tij, i pyetur nga mediat në lidhje me bojkotin e Superiores dhe kërkesat që Liga Profesioniste e Futbollit ka.

Nëse mund të bëjmë diçka më shumë, jemi gati ta bëjmë. Por që futbollistët të vazhdojnë të trajtohen si skllevër në informalitet të plotë, të marrin rroga më të mëdha se të gjithë të tjerët në këtë vend dhe të jenë të pasiguruar, të deklarohen sikur janë punonjës fasonesh me rrogë minimale, kjo nuk mund të vazhdojë.

Kemi krijuar hapësirën që të mund të deklarojnë për një periudhë të caktuar pa paguar tatim fitimi, por ama duke qenë të detyruar të deklarojnë një pagë mbi një nivel të caktuar siç është në të vërtet. Ky teatër me klube dhe futbollistët që janë skllevër dhe nuk i paguajnë shtetit asgjë dhe janë në të zezë, duhet ta mbarojë.

Duhet një qasje mirëkuptuese. Nëse bëhet fjalë për përmirësim, nuk ka problem. Kemi adresuar ato që kemi diskutuar. E mira s’ka fund. Le të vijnë, le të flasin. Kanë bojkotuar kampionatin, është vendimi i tyre. Nuk marrin urdhra nga ne dhe nuk mund t’i detyrojmë që të mos e bojkotojnë kampionatin.

Ata duhet ta mendojnë pse kanë kaq pak spektatorë, pse ka kaq shumë dhunë dhe pse dhe si mund të arsyetohet që qeveria dhe taksapaguesit shqiptarë duhet të rëndohen 10 vjet në funksion të çfarë? Çfarë është ky shembull banal qe i jepet shoqërisë. Një ligë superiore që jeton në informalitet të plotë dhe vepron në të zezë. Kur vjen puna për të marrë lekët, i merr edhe nga UEFA edhe nga rrugët e tjera.

Por nga ana tjetër duhet të kontribuojnë. Tavolina ime është gjithmonë e hapur për të gjithë. Nuk më duket e drejtë që t’i kërkohet qeverisë dhe shoqërisë që të suportojë më tutje këtë situatë. Këtu është diçka e bërë me bindje që të formalizohet futbolli. Po të marrim dhe të shikojmë shifrat sa ka bërë kjo qeveri, duhet të ketë një konsens dhe angazhim për të biseduar. Nuk jam unë që po shqetësohem se ata po bojkotojnë vetveten. Duan të bojkotojnë vetveten, malet e tyre më të larta”, ka thënë Edi Rama./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *