Shqipëria arriti që të fitonte thellë ndaj San Marinos në shifrat 5-0. Kështu kuqezinjtë tregojnë vazhdimësinë e paraqitjeve pozitive pas dy takimeve të para ndaj Polonisë dhe Hungarisë. Në momentit e himnit të Kombëtares do të shkëlqente menjëherë Qazim Laçi. Me sytë mbyllur dhe me shpirtin që këndonte para tij, mesfushori tregon edhe njëherë sesa e përjeton një ndeshje me Shqipërinë. Por nga ana tjetër edhe Reja nuk mbetej pas. Trajneri italian ka nisur që të mësojë himnin tonë dhe po nis “belbëzimet” e para duke na rikujtuar De Biazin që u lidh shumë me Shqipërinë.
Për të vazhduar edhe me Myrto Uzunin. Futbollisti nga Uznova bën gjithçka për të shënuar, por topi nuk i bindet që të shkojë në rrjetë. Armando Broja i dhuron mundësinë e artë duke e nxjerrë përballë portierit, por sërish Uzuni nuk ia del. Me nervat e acaruara për faktin se nuk po arrinte që të gjente golin me Kombëtaren, në minutën e 80 futbollisti i Ferencvarosh nuk mund të gabonte pasi Broja e nxjerrë me portën e boshatisur. Një e sharë vjen prej tij si moment feste dhe çlirimi, duke treguar sesa e dëshironte realizimin si kuqezi. /Sport Ekspres/